Site icon Telegrafi

Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosova

Liliana Hoxha

Jemi përbetuar që me shqiptarët e Kosovës përbëjmë një e vetme, se Kosova është Shqipëri e Shqipëria është Kosovë. Nga ana shpirtërore e besoj që kështu është. Po sa konkretisht jemi të tillë?

Nuk mund të jemi, se na ndan politika duke na mbajtur në obskuritet. Për këtë qëllim, inteligjenca detyrohet të mbetet e munguar. Për fat të keq, por edhe të mirë, vetëm Berisha qëndron i fuqishëm dhe krejtësisht transparent. Aktualisht, duam apo s’duam, ai përfaqëson së paku inteligjencën shqiptare kryesisht për Kosovën, jo vetëm për sot, por që nga viti 1977 kur e kam njohur, aq më tepër si lider krahasuar me truket e të tjerëve maskuar me retorika apo me heshtje për çështje të nxehta si kjo, heshtje që bërtet më shumë se cicërimat e tyre prej trishtili në ‘Twitter’.

Për problemin e korrigjimit të kufijve, që realisht është një pretendim apo politikë ekspansive, në krah të Vetëvendosjes, apo të Albin Kurtit, qëndron krenarisht vetëm Berisha prej idealit të përbashkët për çështjen kombëtare, ndonëse njëri përgjithësisht shkon majtas e tjetri shkon djathtas.

Çfarë e pengon qeverinë e majtë shqiptare të mbrojë interesat e Kosovës?

Në koklavitjen e qëndrimeve e politikat aktuale me përmbajtje jo neutrale të Serbisë, Evropës e Rusisë, shqiptarët mbeten në injorancë të diktuar siç e do interesi i politikës. Por, gjithkush mund të ndërgjegjësohet mjaft që ta shqetësojë kjo çështje mbarë shqiptare.

Një referencë cilësore e çastit që po kalojmë është pozicioni informativ, kulturor e tradicional i Berishës në emisionin ‘Opinion’ të Fevziut në 13 shtator. Mua nuk më mbetet asgjë për të shtuar veç t’iu rikujtoj shqiptarëve së çështja e korrigjimit të kufijve që mbrohet kaq fort me mënyrat që përmenda, fsheh të vërteta shumë të hidhura që askush nga politika shqiptare nuk i përmend. Mitrovica synohet prej serbëve gjoja prej mbipopullatës serbe ndaj asaj shqiptare në atë truall. Ndërkaq, serbizimi i Mitrovicës është bërë me qëllim që sot të synohet si pretendim i pafajshëm gjeografik dhe kështu po trajtohet nga politika “inteligjente” e Shqipërisë e Kosovës.

Në fakt, duhet bërtitur fort se Mitrovica ka Trepçën, minierën më në zë në Ballkan, që ishte pasuria kryesore e gjithë ish-Federatës së bashkuar të Jugosllavisë e jo më sot e Serbisë. Minierë kjo që nuk shteron dhe e pasosur ndonjëherë prej xeherorëve me përmbajtje e përqindje të lartë të metaleve të rralla apo të çmuara. Ndaj serbët nuk do ta njohin kurrë Kosovën pa marrë Mitrovicën. Në vitin 1989 minatorët e Trepçës ngritën krye për të drejtat e tyre. Kjo e tundi në themel ish-Federatën Jugosllave. Në atë kohë punoja si zv/drejtore e ATSH-së. Jetonim ditë e natë me minatorët e Trepçës, me prurje lajmesh të nxehta, ndërsa politika shqiptare e Ramiz Alisë, doemos pas vdekjes së Enver Hoxhës, ishte gjoja me kryengritësit njëlloj siç është sot politika shqiptare gjoja me interesin e Kosovës përfaqësuar nga Thaçi.

Për të mos e tjerr artikullin siç e ka zakon politika e masmedia e saj për të mos thënë realisht atë që duhet, mjafton të përmend:

Vuçiç nuk u lejua të hyjë në Drenicë. Shqiptarët e Drenicës kishin zënë sa gjatë e gjerë rrugën me pretendimin sa legjitim aq minimal që t’iu kërkohet ndjesë për masakrat e Drenicës, për gjakun ende të pa tharë të brezave të familjeve të zhdukur nga serbët. Ramush Haradinaj, më sensitiv në këtë çështje, e pengon zyrtarisht vizitën e Vuçiqit. I tërhequr mbrapsht, Vuçiqi reagon me fjalimin që do të mbetet historik sikur shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë të mos harrojnë. Deklaratat e tij ishin ekstreme:

– Kosovën nuk do ta njohim kurrë

– Ngriti kultin e Milosheviqit edhe pse Drenica si e gjithë Kosova ishte vepër e tij. Edhe pse Gjyqi i Hagës e ka quajtur “Kasapi i Ballkanit”

– Kundrejt pengesës paqësore në Drenicë, ai nuk mendoi dy herë për të kërcënuar që po të jetë nevoja do të ndërhyjë ushtarakisht.

Sa europianiste janë këto deklarata kundrejt heshtjes së politikës shqiptare?

Exit mobile version