Site icon Telegrafi

“Shqiptarët e pranuan me dhunë islamin”, “Lëvizja anti-islam organizatë e rrezikshme”, përplasje për fenë në Kosovë

Në tetor të vitit 2023, në Komunën e Deçanit, një grup individësh ishin mbledhur në një ndërtesë për të njoftuar se kishin themeluar një lëvizje me synime për “shqiptarizmin” dhe për “braktisjen vullnetare të fesë islame”. Prokuroria e Pejës hapi hetimet në lidhje me këtë ngjarje, por tani dosja është transferuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për këtë temë është diskutuar në “Rreth e Rrotull” të Dukagjinit, ku Vlora Gashi, nga “Lëvizja për braktisjen vullnetare të fesë islame”, ka deklaruar se nuk janë të informuar ende nga prokuroria për asgjë.

“Shteti nuk na ka komunikuar ende për këtë çështje. Kemi zyre, kemi kontakte që mund të na kontaktojnë dhe nuk na kanë kontaktuar”, ka thënë Gashi.

Ajo ka deklaruar se po e braktisin fenë islame, pasi sipas saj, u pranua me dhunë nga shqiptarët.

“Shqiptarët e pranuar me dhunë islamin. Perandoria Osmane ka bërë gjenocid mbi shqiptarët. Këtë nuk duhet ta harrojmë. Feja nuk është identitet, është ideologji fetare shpirtërore. Vetëm kombi është identitet”, ka shtuar ajo.

Në lidhje më këtë, Armend Halimi e pati një pyetje për Gashin, mirëpo ajo e injoroi dhe vazhdoi të fliste diçka tjetër.

“Si e konsideroni që mbroni identitetin kombëtar, shqiptar duke e fyer në substancë, çka i bie kjo; si mendoni që vetëm shqiptarët në Ballkan, përjashtimisht boshnjakët, e pranuan fenë islame, do të thotë po tregoni një prej elementeve ose cilëve të kombit shqiptar dobësi”, ishte pyetja e Halimit që mbeti pa përgjigje.

Halimi ka thënë se këta njerëz janë të rrezikshëm po aq sa një terrorist me bombë në dorë.

Përveç që njerëzit janë duke u larguar vullnetarisht, Gashi ka hezituar në ndajë ndonjë informacion në lidhje me këtë lëvizje.

“Nuk është arsyeshme t’ua jap informacionet e brendshme, ndoshta në një herë tjetër… vetëm iu falënderoj për këtë qasje, këto nuk janë të dhëna që iu duhen.  Njerëzit kane dalë që prej viti 2000 në braktisje të fesë islame, edhe unë jam njëra prej tyre… është çështje krejt vullnetare, se ku shkojnë është çështje personale”,  ka shtuar Gashi.

E avokati Asdren Hoxha ka thënë se lëvizje është një organizatë e rrezikshme që duhet të hetohet.

“Zonja Gashi e konfirmoi që është në kundërshtim me vetën, atë të ikjes, kamuflimi i qëllimeve të vërteta që i lexoj kolegu dhe që i paraqiti si më të vërtetë urrejtës në përmasë të madhe. Reagimi i prokurorisë është adekuat. Këto citime nuk përbëjnë gjë tjetër përveç nxitje të urrejtjes dhe përçarjes mes etnive, feve etj… Kjo është një organizatë e rrezikshme që duhet të hetohet”, ka thënë Hoxha.

Exit mobile version