Shqiptarët e Ohrit janë më të rrezikuarit nga margjinalizimi dhe diskriminimi deri tani nga administrata komunale.
Për këtë, partitë BDI, Lëvizja Besa dhe Aleanca për shqiptarët e Ziadin Selës kanë vendosur para zgjedhjeve të shkojnë me lista të përbashkëta për këshillin komunal të Komunës së Ohrit, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Ky bashkim forcash, që nuk ju bashkua PDSH-ja e Menduh Thaçit, ka arritur të merr dy këshilltarë në Këshillin komunal.
Kjo është historike për shqiptarët andej pasi prej vitit 2009 kanë pasur një këshilltar.
Këtë radhës si pasojë e bashkimit të forcave, këshilltarë do të jenë Nefi Useini dhe Xhemal Mena, njëri nga BDI kurse tjetri nga Lëvizja Besa.
Më herët merret vesh se në mandatin e viteve 1991-1996 kanë pasur tre këshilltarë: Kadri Pollozhani, Ajri Shaqiri dhe Axhibajram Rizvani.
Në mandatin 2005-2009 kanë qenë dy këshilltarë: Nedim Pollozhani dhe Ylber Doko.
Historike është në këtë rast se hynë në lojë thënia ”Bashkimi bën fuqinë” duke bashkuar forcat që të kenë dy këshilltarë, krahasuar me mandatin e kaluar ku ishte vetëm një këshilltar.
Bashkime të njejta të votave për këto zgjedhje nga radhët e BDI-së, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për shqiptarët ka pasur në Komunën e Butelit për listën për këshilltarë dhe në Kërçovë për kryetar komune ku u zgjodh Fatmir Dehari për mandat të dytë. /Telegrafi/