Arbër Zaimi nga Tirana ka shkruar një artikull, në të cilin flet për problemet e shqiptarëve, veçanërisht për ata të Maqedonisë. Ai thotë se ata janë harruar nga Tirana dhe Prishtina por edhe nga qeveria e Maqedonisë edhe pse problemet mes shqiptarëve dhe maqedonasëve janë të ngjashëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Është tërësisht e vërtetë se në Maqedoni kanë probleme të ngjashme si shqiptarët ashtu edhe maqedonasit e thjeshtë. P.sh. papunësia i rrënon të dyja palët, dhe papunësia është relativisht e madhe në nivel nacional, rreth 30%. Por, shtypja e dyfishtë mbi shqiptarët del qartë kur shihet papunësia në Likovë, fjala vjen, ku është 80%, ose në Haraçinë, fjala vjen, rreth 65%. Pra, me sa duket, “shpërndarja e papunësisë” ndjek një gjeografi etnike. Po ashtu e vërtetë është se maqedonasit dhe shqiptarët e thjeshtë kanë probleme me gjyqësorin, ndërsa të pushtetshmit shqiptarë dhe maqedonas e kalojnë lehtë çdo problem gjyqësor. Por, shtypja e dyfishtë dallohet edhe në rastet e montuara, si Monstra, të cilat janë aq të pabesueshme sa do të ishin skenar qesharak edhe për ndonjë shkrimtar trilleri”, shkruan Zaimi.
Ai gjithashtu shkruan se heshtja dhe neutraliteti i Kosovës dhe Shqipërisë zyrtare ndihmon elitën antishqiptare e kriminale të Maqedonisë që ta zgjasë jetën e vet.
“Heshtja e neutraliteti i Kosovës dhe i Shqipërisë zyrtare e ndihmon elitën antishqiptare e kriminale të Maqedonisë që ta zgjasë jetën e vet. Kjo nuk është thjesht amatorizëm dhe improvizim në politikën e jashtme të dy shteteve, që së fundi doli se janë “shtete shqiptare”, por tregon edhe mungesën e një doktrine diplomatike shqiptare sa i përket Maqedonisë, edhe pse aty jeton një pjesë domethënëse e bashkëkombësve tanë” shkruan mes tjerash Zaimi./Telegrafi/