Në zgjedhjet e 21 qershorit të mbajtura në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë marrë pjesë me një listë të përbashkët ku janë përfshirë shumica e partive nga komunat e kësaj pjese, kurse deri më tani kanë arritur t’i sigurojnë dy ulëse në parlamentin serb.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili tha se është i bindur se edhe kandidati i tretë në këtë listë do të jetë pjesë e përfaqësuesve shqiptarë në parlamentin e Serbisë.
“Ajo që dihet deri më tani, e që është 100 për qind e sigurt është se janë dy deputet nga lista e përbashkët, të tretin sipas të gjitha gjasave e kemi gjithashtu, jam i bindur shumë se e kemi edhe të tretin, por i katërti është në pikëpyetje, për arsye sepse Bujanovci në këtë drejtim ka bërë një bojkot të heshtur”, tha Arifi.
Sipas tij, procesi i votimit ka shkuar shumë mirë gjatë të dielës, ndërsa tha se kanë qenë qytetarët e Komunës së Bujanovcit të cilët e kanë bojkotuar këtë proces.
“Procesi i votimit ka ecur në rregull, nuk kemi pasur parregullsi në asnjë vendvotim. Për këtë arsye edhe Komisioni Qendror Zgjedhor, i dy komunave Bujanovc edhe Preshevë i ka numëruar dhe verifikuar rezultatet dhe i ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Serbi, i cili i mbledh votat nga të gjithë Serbia, ku jemi në pritje të rezultateve. Përndryshe, ka qenë një dalje masive, nga qytetarët e Komunës së Preshevës, në Komunën e Bujanovcit një bojkot të heshtur e kemi pasur për shkak të partive dhe për shkak se një kandidat për deputet që është i përfolur për afera korruptive dhe ka qenë kryetar i komunës deri në këtë moment, qytetarët kanë shprehur pakënaqësi”, tha Arifi.
I pyetur nëse ka pasur qytetarë të cilët janë larguar nga listat e votimeve dhe nuk kanë arritur të votojnë, ai tha se në komunë e Preshevës të tillë nuk e kalojnë numrin 100, prandaj edhe nuk përbëjnë ndonjë diferencë të madhe.
“Në komunën e Preshevës nuk ka pasur raste kur qytetarët janë pasivizuar. Numri i atyre që janë pasivizuar është nën 100 persona në Preshevë, prandaj nuk ka shumë ndikim pasivizimi. Po ka pasur qytetarë që nuk kanë mund të votojnë sepse janë të pasivizuar, e ndoshta as nuk kanë dal në vendvotime”, tha Arifi. /Telegrafi/