Site icon Telegrafi

Shqiptarët e Kosovës patjetër në dietë

Një fëmijë dymbëdhjetë vjeçar me deklamim reciton poezi kushtuar nënës dhe mësueses. Moshatari i tij lirshëm mund të merr pjesë në gara të ndryshme sportive. Një fëmijë që është lindur menjëherë pas mbarimit të luftës së Kosovës, sot mund t’i ketë, afërsisht 40 kilogram. Madje kryeministri i Kosovës para dymbëdhjetë viteve ishe shumë i dobët, është fjala për peshën trupore. Për dymbëdhjetë vite, njeriu ka mundësi ta kryej shkollën fillore dhe shkollën e mesme. Çdo vit buxheti i Kosovës, prej produkteve serbe që s’i nënshtroheshin kontrollit doganor, afërsisht u dëmtua në vlerë prej 25 milion euro, që për dymbëdhjetë vite i bie të jetë dëmtuar me 300 milion euro, duke mos e llogaritur përfitimin e këtyre mjeteve që mund të investoheshin në ndonjë veprimtari fitimprurëse. Për dymbëdhjetë vite radhazi, shqiptarët e Kosovës, konsumuan produkte serbe (me përjashtime të vogla), produkte që prodhoheshin prej dorës së atij që masakroi shqiptarë të pafajshëm, në mos drejtpërdrejt prej dorës së tij, patjetër prej dorës së vëllait, prindit, djalit, gjyshit a dajës së tij.

Dymbëdhjetë vite janë të gjata, brenda kësaj periudhe kohore, njeriu ka mundësi të bëjë ndryshime të skajshme, qofshin ato të dobishme a të dëmshme. Duket se pas gjithë këtyre viteve, qeveria e Kosovës e kuptoi se ai që nuk ta hanë bukën, mbase edhe ta përbuz, herët a vonë, i njëjti njeri do të bëjë përpjekë që ta pushtojë tokën, prej së cilës furnizoheni me lëndën e parë të bukës. Masave të reciprocitetit iu gëzua gjithkush, mbase kjo njëherësh është edhe një urdhër i qartë drejtuar prodhuesve shqiptar, që të bëjnë çmos, që tregun vendas mos ta lënë të zbrazët, madje të kenë kujdes edhe në ruajtjen e çmimeve ekzistuese, sepse çlirimi i dytë i Kosovës, tashmë prej produkteve serbe, mund të reflekton në rritjen e çmimeve, kjo pastaj edhe në pasqyrën e djeshme të përfshirjes dhe vërshimit të tregut kosovar prej produkteve serbe. Në këtë rast edhe Shqipëria mund ta jep kontributin e saj ekonomiko-kombëtar, duke mos i përjashtuar edhe shtetet tjera mike të Kosovës.

Ajo që mua më brengos në sfondin e këtij gëzimi, është se çdo të bëjnë shqiptarët e Kosovës me ato kilogram, material dhe ato para që i fituam duke konsumuar dhe tregtuar produkte serbe për dymbëdhjetë vite radhazi. Dikujt kjo ide që artikulon brengë, mund t’i duket qesharake, madje edhe tepër naive, por unë jam i interesuar që të keqen ta heqim prej në rrënjë, sepse shumë pak serioze më duken përgëzimet për embargon ekonomike me Serbinë, që vijnë prej gojës së një trashaluqi shqiptar, trashaluq që kilogramët e fituara, mund t’i ketë marrë edhe prej konsumimit të produkteve serbe. Në shenjë proteste dhe pendimi për konsumimin e mëhershëm të produkteve serbe, ky njeri dhe gjithë ata që me vetëdije të plot në Kosovë kanë konsumuar produkte të importuara nga Serbia, është mirë që publikisht të dalin në një grevë uria apo të hyjnë në një dietë të përgjithshme shtetërore, që do të zgjas vetëm disa javë, ku praktikisht dhe simbolikisht shtetit kriminal serb t’i tregohet se edhe dhjamin që e kemi fituar prej mallrave që dora e juaj gjakatare i ka prodhuar, do ta shkrijmë dhe shporrim prej trupit tonë, ku gjaku që qarkullon drejtë zemrës dhe anasjelltas, do të jetë në gjendje t’i dëgjojë të rrahurat e zemrës shqip.

Kjo vlen edhe për ata tregtar që e trashën xhepin në suaza të këtilla. Atyre në këtë rast u lejohet pastrimi i parave të pista në projekte që do të shërbenin për të mirën e shoqërisë shqiptare në Kosovë. Fjala bie, paratë e fituara në dëm të buxhetit të shtetit, që akoma ruhen si para të gatshme, është mirë që në emër të këtyre parave të ndërtohet ndonjë sallë sportive, bibliotekë ose ambulancë në ndonjë fshat. Kjo mua më ngjet me procesin e pastrimit të gjakut prej dozave narkotike. Kjo dëshirë për pastrim të gjakut s’mund të arrihet ndryshe, përpos se me bindje. Sot ky proces me ndihmën e mjekësisë bashkëkohore është i mundshëm! Kësisoj nëse për dymbëdhjetë vite krijuam dhjam përmbi dhjam në trupin tonë dhe para përmbi para në xhepin tonë, atëherë në shenjë pendimi, të hyjnë në greve urie të gjitha ata që në njëfarë formë janë të prekur prej mallrave serbe. Kështu që, në të ardhmen atyre do t’ju bëhet e qartë se ai që bukën e tjetrit e refuzon, atëherë ka refuzuar edhe bukën e vetë, duke ia bërë me dije çështjen e kthimit të njëjtë, pra nëse ai ofron helm, atëherë edhe ne do t’i përgjigjemi me helm, jo pse duam t’i helmojmë qytetarët e atij shteti, porse duam t’i tregojmë se sa mëkat është të helmosh njerëz.

Exit mobile version