Site icon Telegrafi

Shqiptarët e duan bashkimin kombëtar, por nuk besojnë se është i mundur

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë organizuan tryezën “Shqipëri – Kosovë: dekonstruktimi i mitit të Shqipërisë së Madhe”, në të cilën u prezantua një raport lidhur me perceptimet e qytetarëve për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në njoftim thuhet se ky studim matë ndërveprimin dhe qëndrime e qytetarëve të të dyja vendeve për një sërë çështjesh si: niveli i bashkëpunimit, distanca sociale, imazhet për fqinjët, integrimit evropian, bashkëpunimin rajonal, perceptimet dhe stereotipat ndaj njëri-tjetrit, qëndrimet ndaj bashkëpunimit zyrtar të të dyja vendeve dhe qëndrimet ndaj bashkimit kombëtar.

Më poshtë mund t’i gjeni të gjeturat e këtij raporti:

QËNDRIMI NDAJ BASHKIMIT KOMBËTAR / INTEGRIMI EVROPIAN

Sa i përket dëshirës së realizimit të bashkimit kombëtar, 63% e të anketuarve në Shqipëri dhe 54% e të anketuarve në Kosovë deklarohen se dëshirojnë që bashkimi kombëtar të realizohet.

Por të pyetur nëse do të ishin të gatshëm të paguanin një taksë e cila mundëson bashkimin kombëtar, 29.5% e të anketuarve në Shqipëri do të ishin dakord me një taksë të tillë dhe 43.5% e të anketuarve në Kosovë. 75% e të anketuarve në Shqipëri dhe 64% e të anketuarve në Kosovë do të votonin pro bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm, nëse do të mbahej një referendum.

“Besimi bie në të dyja vendet kur pyeten se sa mendojnë se bashkimi kombëtar është i mundshëm, ku vetëm 23% e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 17% e shqiptarëve të Kosovës besojnë se një gjë e tillë është e mundur. Për shqiptarët e Shqipërisë të cilët besojnë se bashkimi kombëtar është i mundshëm, bashkësia ndërkombëtare shihet si faktor kryesor që mundëson bashkimin. Kurse për shqiptarët e Kosovës faktor kryesor që mund të realizoj një skenar të tillë shihet lidershipi në Kosovë dhe Shqipëri”.

“Por edhe ata që mendojnë se bashkimi kombëtar nuk mund të ndodhë, faktorin ndërkombëtar e shohin si pengesë kryesore, si të anketuarit në Shqipëri, ashtu edhe ata në Kosovë. Bashkimi kombëtar dhe anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kosovës në BE shihen si procese që kundërshtojnë njëra tjetrën nga 42% e të anketuarve në Kosovë dhe 37% e të anketuarve në Shqipëri. Shqiptarët e Shqipërisë, në shkallë më të madhe se sa shqiptarët e Kosovës, kanë tendencë ti shohin këto dy procese si komplementare”, thuhet në raport.

PERCEPTIMI I ROLIT TË SHQIPËRISË NË KOSOVË/ BASHKËPUNIMI

Sa i përket qëndrimit zyrtar të Shqipërisë karshi Kosovës, qytetarët e të dyja vendeve pajtohen se Shqipëria luan rolin e “vëllait të madh” ndaj Kosovës.

Për serbët e Kosovës, Shqipëria ndërhyn shumë në punët e brendshme të Kosovës, por me këtë nuk pajtohen shqiptarët e të dyja vendeve. Shumica e të anketuarve në Shqipëri dhe Kosovë (qytetarët shqiptarë) vlerësojnë se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë zhvilluar mjaftueshëm dhe se ka ende punë për t’u bërë. Pjesa më e madhe e të anketuarve (76% në Shqipëri dhe 59% në Kosovë) vlerësojnë se zhvillimi i marrëdhënieve të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës sjell përfitime për të dy vendet njëlloj.

QËNDRIMI NDAJ DIALOGUT KOSOVË-SERBI

Skenarët për mundësinë e korrigjimit të kufijve janë kundërshtuar nga shqiptarët në Kosovë (mbi 70% kundër) dhe Shqipëri (mbi 52% kundër), por gjithashtu dhe nga serbët e Kosovës (mbi 80% kundër).

Njëkohësisht shumica e të anketuarve në Kosovë dhe Shqipëri nuk e preferojnë as ‘status quo’ e tanishme në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe presin ndryshim, por i cili nuk do të prekte territorin.

NDËRVEPRIMI

Sipas hulumtimit në të dy vendet, 88.7% e shqiptarëve të Kosovës kanë vizituar Shqipërinë, ndërkohë që vetëm 31.6% e qytetarëve të Shqipërisë kanë vizituar Kosovën. Vetëm 18% e të anketuarve nga komuniteti serb që jetojnë në Kosovë kanë vizituar Shqipërinë në dy vitet e fundit. Turizmi është arsyeja kryesore për vizitat e ndërsjella, ndërkohë shumë pak vend zë arsimi, shëndetësia, tregtia dhe punësimi. Kufizimet financiare dhe largësia janë dy arsyet kryesore për mos realizimin e vizitave në vendin tjetër. Lidhur me sigurinë e udhëtimit në vendin tjetër, 85% e të anketuarve në Shqipëri deklarojnë se ndihen të sigurt ose shumë të sigurt për të udhëtuar në Kosovë, 60% e qytetarëve të Kosovës kanë këtë siguri. Vetëm 18% e qytetarëve serb në Kosovë ndihen të sigurt për të udhëtuar në Shqipëri.

DISTANCA SOCIALE/ETNIKE

Pjesa më e madhe e të anketuarve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë kanë deklaruar se nuk do kishin asnjë problem që të kenë marrëdhënie shoqërore me dikë nga Kosova/Shqipëria, të jetojnë në një fshat, qytet, lagje me dikë nga Kosova/Shqipëria, apo të punojë në të njëjtin vend pune. Lidhur me pyetjen nëse do të preferonin që të kenë lidhje martesore me shqiptarët nga Shqipëria/Kosova, 75% e të anketuarve në Shqipëri janë shprehur se nuk e kanë problem një gjë të tillë, ndërkohë 56% e të anketuarve në Kosovë japin përgjigje pozitive. Shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë distancë më të madhe me serbët, se sa me malazezët dhe grekët. Marrëdhëniet shoqërore me serbët nuk i preferojnë 84% e shqiptarëve të Kosovës dhe 67% e shqiptarëve të Shqipërisë. Sa i përket distancës sociale me dikë nga Evropa Perëndimore, mesatarisht 85% e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 65% e shqiptarëve të Kosovës shprehen në favor të lidhjeve shoqërore, të jetuarit në një vendbanim ose ndarjes së vendit të punës.

NJOHURITË

Shqiptarët e Kosovës janë më të informuar sa i përket figurave politike të institucioneve kryesore të Shqipërisë dhe datave historike të saj, krahasuar me qytetarët e Shqipërisë për Kosovën. Qytetarët e të dyja vendeve kanë tendencë të mbivlerësojnë përqindjen e minoriteteve që jetojnë në Kosovë, respektivisht Shqipëri. Qytetarët e Kosovës ndjekin më shumë mediat e Shqipërisë, se sa anasjelltas: 34% e të anketuarve në Shqipëri kanë deklaruar se asnjëherë nuk kanë ndjekur mediat e Kosovës (TV/gazeta/portale), kurse 17%e shqiptarëve të anketuar në Kosovë deklarojnë se nuk ndjekin kurrë mediat e Shqipërisë; 45% e shqiptarëve të Kosovës kanë deklaruar se ndjekin çdo javë ose disa herë në javë mediat e Shqipërisë, kurse të njëjtën e deklarojnë 23% e qytetarëve të Shqipërisë për mediat e Kosovës.

MIQTË DHE ARMIQTË E PËRBASHKËT/ IMAZHET

Shqiptarët në të dyja anët e kufirit kanë qëndrime të njëjta sa i përket shteteve mike dhe agresore ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës pajtohen se shtete si Gjermania, Italia, Franca, SHBA, Kroacia dhe Turqia, janë shtete mike për të dyja vendet.

Dy shtetet me qëndrim armiqësor, si për Kosovën dhe për Shqipërinë, konsiderohen Serbia dhe Rusia.

Për më shumë klikoni këtu: /Telegrafi/

Exit mobile version