Studiuesi Robert Elsie, në faqen e tij ka publikuar fotografi të rralla, gjatë rekrutimit të shqiptarëve për divizionin e ashtuquajtur SS Skënderbeu. Në këtë koleksion të realizuar nga Georg westermann, gjendet edhe një foto e Bedri Pejanit, nënshkruesit të dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Tekstin e Elsiet dhe fotot, mund t’i shihni më poshtë.
@Fotografitë e këtij koleksioni, të marra nga faqja interneti e United States National Archives and Records Administration (NARA), u kryen në Luftën e Dytë Botërore nga fotografi gjerman i luftës, Georg Westermann, i cili shoqëroi divizionet e ndryshme të Waffen-SS-it në Ballkan.
Nga nëntori 1943 deri në prill 1944 ishte në Kroaci dhe në Bosnje me Divizionin Hanxhar, dhe nga janari 1944 me Divizionin Princ Ojgen. Në maj të vitit 1944 Westermanni ndodhi në Kosovë ku fotografoi një fushatë rekrutimi për divizionin e ri shqiptar, të ashtuquajturin SS Skënderbeu.
Ky divizion, i udhëhequr nga komandanti nazist August Schmidhuber (1901-1947), u krijua vonë. Rekrutimi filloi në shkurt 1944 dhe divizioni mori emrin zyrtar vetëm në gusht 1944. Nuk arriti kurrë numrin e plotë të efektivëve të parashikuar.
Pas disa operacioneve famëkeqe, ndër të tjerat arrestimi në Kosovë të 281 hebrenjve dhe të 210 kuadrove komunistë, divizioni Skënderbeu u shpërbë në nëntor 1944.
Deri në atë kohë pjesa më e madhe e rekrutëve ishte arratisur dhe kthyer në shtëpi.
Të rinjtë punëkërkues në këto pamje duket se nuk hamendësojnë se çfarë i pret.
Fotot e tjera tregojnë festat për kthimin në Kosovë të të burgosurve politik shqiptarë – burrat të cilët kishin shërbyer në armatën jugosllave, ishin marrë peng nga forcat gjermane në vitin 1941, dhe në maj 1944 me në fund u liruan dhe u kthyen në Kosovë, me kusht që t’i bashkëngjisin divizionit Skënderbeu ose forcave të tjera progjermane në ‘luftën kundër bolshevizmit’”, ka shkruar Elsie.
Elsie ka publikuar edhe një raport të August Schmidhuberit, i hartuar në 2 tetor 1944 në Bavari. Raporti është shkruar pak javë nga largimi i trupave gjermane nga territori i Shqipërisë. Konsideratat gjermane për rekrutët dhe cilësinë e divizion “Scanderbeg” janë jo shumë të larta.
“Për shqiptarët disiplinë do të thotë kufizim i lirisë… Ata kanë kohë. Nuk duan të luftojnë në formacione luftarake, por në bandat e tyre… Kur nis të bjerë shi, shqiptari e braktis pozicionin e tij. Kur errësohet ai ikën dhe shkon në fshat për të pirë një gotë raki. Kur ka kaluar 12 ditë në detyrë, ai kthehet në shtëpi për 4-5 ditë pa pyetur e pa marrë leje e mandej edhe mund të kthehet, por edhe jo… Shqiptari nuk e pëlqen stërvitjen dhe qitjen. Ajo çfarë ai do më shumë është thjesht të qëllojë me armë kurdoherë që kjo është e mundur, i fshehur duke qëlluar i lumtur në ajër. Uria shqiptare për shumë e më shumë municion nuk ka kufij”, hap raportin zyrtari gjerman i cili ecën më poshtë me zhgënjimin total që pëson kur i njeh nga afër shqiptarët e mitizuar.
“Kuraja dhe heroizmi i shqiptarëve është një tjetër mit. Ti mund të vësh përpara dhe ta ndjekësh një shqiptar përgjatë rruzullit me një mortajë të lehtë. Ndërkohë që në sulm, ai nuk shtyhet shumë, deri aty ku gjen diçka për vjedhur apo plaçkitur. Sapo ka kapur dhinë, plugun apo rrotën e një makine qepëse, lufta për të ka mbaruar dhe ai kthehet në shtëpi. Sa për mbrojtjen shqiptarët janë ekstremisht nervozë nga zhurma e mortajave. Në kushte të tilla, është absolutisht thelbësore që korpusi i oficerëve drejtues të jetë i madh. Për 20 shqiptarë të duhen dy oficerë gjermanë: një që t’i drejtojë dhe një tjetër që të hedhë sytë e t’i ruajë”, shkruan oficeri gjerman.
Duke cekur lehtë natyrën prej batakçiu të “të ashtuquajturve politikanë shqiptarë”, Schmidhuber sjell përpara syve një Bedri Pejan, që “nuk donte të dinte se nga vinin paratë, mjafton që të përmbushnin kërkesat e ekzagjeruara të jetës që bënte”.
Ai madje thotë se shqiptarët janë më turq se turqit dhe se në Prizren e Prishtinë dëgjohet vetëm Radio Ankaraja.
Raporti e oficerit, të plotë (në anglisht), mund ta lexoni: KËTU. /Telegrafi/