Nën organizim të Ziadin Selës, kryetar i LR-PDSH-së, sot janë mbledhur mbi 50 intelektualë dhe profesor që veprojnë në Kosovë nga Maqedonia për të diskutuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve në Maqedoni, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në takim është biseduar për zgjidhjet që i kanë shqiptarët për të dalë nga kriza politike në Maqedoni.
”Së shpejti pritet të themelohet forumi i intelektualëve të Maqedonisë, dhe për të është themeluar këshilli nismëtar. Biseda e sotme është në këtë drejtim, forumi nuk ka karakter politik por vetëm do të merret me problemet e shqiptarëve” tha gazetari Qani Mehmedi në sajë të moderatorit të diskutimit.
Alajdin Demiri si panelist tha mes tjerash ”Shqiptarët gjithnjë janë faktor në Maqedoni. PDSH dhe BDI sillen sikur nuk ndodhen në Maqedoni. Në tryezën e bisedimeve në ‘Marrëveshjen e Përzhinos’ nuk u propozua asgjë për shqiptarët. Gjithashtu panelist ishte edhe Idajet Iseni.
Pjesmarrës ishte edhe zv.ministri i kulturës në Kosovë Rexhep Hoti, i cili ka analizuar edhe më herët problemet e shqiptarëve në Maqedoni. ”E veçanta e këtij takimi është se intelektualët nga Maqedonia e kanë zgjedhur Kosovën për t’i dhënë një peshë më të madhe brengave të tyre për shqiptarët e Maqedonisë. Betejat që shqiptarët i kanë fituar në luftë, i kanë humbur në paqe.” tha zv.ministri i kulturës në Kosovë Rexhep Hoti.
Masës së intelektualëve ju drejtua edhe Ziadin Sela, kryetar i LR-PDSH i cili tha ”Do të doja të përshëndes secilin në emër pasi sot ju japim peshë problemeve të shqiptarëve të Maqedonisë. Unë nuk jam këtu për të debatuar me ju rreth problemeve tona në Maqedoni. Këtu jemi për të kuvenduar rreth daljes nga kriza dhe duhet të diskutojmë se si goditet sistemi që monton procese për shqiptarët” tha mes tjerash Sela. Forumi u organizua në Hotel Prishtina në Prishtinë./Telegrafi/