Telegrafi

Shqiptarët, 100 milion USD kumar

Top Channel duke u thirrë në të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri,raporton se gjatë vitit 2008 shqiptarët shpenzuan më shumë se 10 miliardë lekë ose me kursin aktual mbi 100 milionë dollarë në lojërat e fatit përfshirë këtu dhe bastet sportive.

Në vitin 2007 shifra ishte vetëm 6 miliardë leke ose afro 60 milionë dollarë, çka do të thotë se krahasuar me vitin e kaluar tregu i lojërave të fatit në Shqipëri është rritur me mbi 65 për qind, duke u shndërruar kështu ndoshta në tregun me rritjen me të fortë.

Shifrat e publikuara janë nxjerrë nga deklaratat e TVSH-së, që subjektet e ligjshme të lojërave të fatit kanë bërë në drejtorinë e Tatimeve. Por vetë autoritetet pranojnë se një pjesë e mirë e këtij tregu vazhdon të jetë informale, dhe e pakontrolluar.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, nga kontrollet e ushtruara ditët e fundit, del se në të gjithë vendin ekzistojnë rreth 1500 adresa, të cilat dyshohet se janë qendra të lojërave të fatit dhe basteve të tjera.

Ministria pohon se në rreth 400 prej tyre ushtrohet aktivitet i paligjshëm bixhozi nga kompani apo pika të palicencuara. Ndaj besohet se industria e lojërave të fatit në Shqipëri është më e madhe nga ajo që paraqesin shifrat zyrtare, duke u shndërruar kështu në një nga tregjet më të mëdha në vend së bashku me telekomunikacionet dhe energjinë.

Këtu pikëpyetja e madhe është. Shqiptarët kanë filluar vërtetë të shpenzojnë me shumë për t’u argëtuar apo varfëria i shtyn ata të kërkojnë deri në dëshpërim fatin e tyre në kumar?