Telegrafi

Shqiptarë, zhvendosni kapitalet nga Greqia

Konfindustria merr shkasë nga lajmet e fundit shqetësuese për shenjat e para të tronditjes së sistemit bankar në Greqi, si pasojë e tërheqjeve masive të depozitave nga qytetarët dhe biznesi. Sipas Konfindustrisë, duhet pasur parasysh, se pavarësisht se një pjesë e sistemit bankar shqiptar është në pronësi të bankave “mëmë” në Greqi, mbështetur në ligjet në fuqi në Republikën e Shqipërisë, lejohet kalimi jashtë vendit vetëm të dividentit të krijuar.

Kjo do të thotë, se sistemi bankar shqiptar përfshi edhe bankat me kapital grek është krejtësisht i mbrojtur nga goditjet nga jashtë si dhe nga gjendja e vështirë e sistemit bankar grek.

“Emigrantët shqiptare kanë të gjitha mundësitë, që kapitalet dhe njohurite e përfituara ti përdorin me efektivitet në atdheun e tyre ku nevojat janë të mëdha. Përmendim, se vetem defiçiti tregtar i Shqipërisë në sektorin bujqësor dhe agroushqimor, ku një pjesë mjaft e madhe e emigrantëve shqiptare punojnë në Greqi, është mbi 500 milion euro/vit, duke krijuar kushte mjaft të mira për investime”, thekson në një deklaratë drejtori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Gjithashtu, duke marr shkak nga përballja e mundshme e ekonomisë së Shqipërisë me pasojat e krizës së rëndë ekonomike dhe financiare në Greqi, Konfindustria i kërkon institucioneve shtetërore të ndalin sa më shpejt dhe me çdo kusht daljen e paligjshme jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare.

Konfindustria mendon, se nëse ndërmerren një sërë veprimesh institucionale dhe ligjore, është plotësisht e mundur, që ekonomia shqiptare jo vetëm të mos preket rëndë nga kriza në Greqi, por edhe të përfitoj ndjeshëm në afatgjatë në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptare.