Feçor Biçaku, 56 vjeç, pas një sherri i ka vënë litarin në fyt gruas së tij, F. Biçaku, 52 vjeçe. Ka qenë kunata e çiftit ajo që ka njoftuar policinë, e cila fatmirësisht ka reaguar në kohë. 52-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Feçor Biçaku ka deklaruar në polici se s’mbante mend asgjë dhe se i ishin errur sytë, pasi gruaja vetëm fliste dhe nuk dëgjonte.
“Nisi nga një gjë banale. Nuk di si e bëra. As më kujtohet fare. Nuk doja ta lëndoja, ta vrisja, as që e kisha menduar ndonjëherë. Ishte një moment. Më hipi gjaku në tru”, është shprehur 56-vjeçari.
Gjithcka ndodhi rreth orës 18:30, kur bashkëshorti ka kërkuar që t’i shërbehet darka, por nuk ka pasur asgjë të gatuar në atë orë, njofton Panorama.
Kaq është dashur që në shtëpi të nisë sherri dhe të dy kanë fajësuar njëri-tjetrin për mungesë përgjegjshmërie në familje.
56-vjeçari e ka goditur fillimisht me një shuplakë dhe ka nisur ta fyejë. Pas disa minutash debat, në një çast burri ka marrë një litar që gjendej në korridor dhe e ka lidhur gruan për fyti.