Site icon Telegrafi

Shqiponjat e Gjakovës mposhtin maqedonaset

Shqiponja të shtunën mbrëma fitoi me plot 16 gola dallim, 38:22, ndaj Pelisterit në Manastir të Maqedonisë. Ndeshja është përcjellë nga plot 1500 shikues. Hendbollistet e klubit gjakovar pos me kundërshtaret në fushë është dashur të përballen edhe me pritjen e keqe të shikuesve maqedonas. Por kjo nuk i pengoi që të arrijnë fitoren bindëse, shkruan sot Koha Ditore.

Skuadrat kosovare prej edicionit 2005/06 paraqiten në gara evropiane. Asnjë skuadër nuk ka arritur fitore kaq bindëse sa Shqiponja.

Fitorja e Shqiponjës u arrit në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Challenge Cup. Ndeshja e kthimit do të luhet më 21 nëntor në Gjakovë.

Skuadra gjakovare për këto ndeshje është përforcuar me pesë hendbolliste të skuadrave të tjera kosovare. Kontributi i tyre ishte i madh. Më e mira në ndeshje ishte Belma Beba, që u angazhua nga Kastrioti. Beba, që është nga Gostivari, ndeshjen e mbylli me plot 12 gola. Xhevahire Bajrami e Albulena Kelmendi shënuan nga gjashtë gola, Blerina Haxha e Valerina Malaj nga pesë, ndërsa Mane Ibrahimi realizoi katër gola. Pelisteri në përbërje ka vetëm hendbolliste maqedonase. Edhe Pelisteri për herë të parë po paraqitet në gara evropiane.

"Unë me klubin Shqiponja kam miqësi më të gjatë, prandaj vendosa të luajë për të. Është klub që tregon respekt për mua, si kryesia ashtu edhe lojtaret. Para disa vjetëve i ndihmova për turneun tradicional që mbahet në Gjakovë dhe më bënë pritje shumë të mirë. E njëjta ndodhi sërish. Kam vendosur të luaj edhe për faktin se dua që hendbolli kosovar të bëjë histori. Dua që ekipet e huaja të shohin se edhe lojtaret shqiptare dinë të luajnë hendboll. Mbrëmë arritëm fitore bindëse, ndonëse hasëm në sjellje josportive të publikut. Shikuesit për 60 minuta lojë na kanë ofenduar në pallatin sportiv në Manastir", ka thënë Belma Beba, të dielën për gazetën. Ajo ka vlerësuar se Pelisteri nuk është kundërshtar i dobët. 

Exit mobile version