Site icon Telegrafi

Shqipja mësohet në shumë universitete të botës

Ilustrim

Gjuha shqipe mësohet në shumë universitete botërore, diku si lëndë zgjedhore në kuadër të gjuhëve ballkanike, e në disa universitete me katedrat e veçanta të shqipes.

Vendi që ka më shumë katedra të gjuhës shqipe është Italia. Ndërkohë, gjuha shqipe përveç që mësohet si gjuhë, ajo mësohet edhe në aspektin akademik, që u shërben studiuesve të huaj për hulumtime shkencore, historike e kulturore.

Gjuha dhe kultura e shqiptarëve ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë.

Katedra më e vjetër e gjuhës shqipe është ajo e Universitetit “Lorientale” në Napoli, pastaj në Kalabri në Kozencë, në Sicili, në Palermo, në Leçe, në Romë, në Venecia. Ajo studiohet në universitetet evropiane, në SHBA, Rusi e më gjerë.

Anton Pançev, pedagog në Universitetin e Sofjes në degën e Ballkanologjisë, thotë për Radio Kosovën se çdo vit pranohen nga 15 studentë që duan të studiojnë gjuhën shqipe.

“Mësimi i shqipes në Bullgari ka 60 vjet tani. Studentët tanë vazhdojnë të kenë sukses jo vetëm në mësimin e shqipes, por edhe në rileximin profesional”, tha ai.

Universiteti i Prishtinës bashkëpunon ngushtë me universitetet botërore, që brenda tyre kanë programe dhe kurse për gjuhën shqipe. Pedagogët e studiuesit e gjuhës shqipe në ato universitete, shkëmbejnë studimet e hulumtimet e tyre me universitetet shqiptare në Prishtinë e Tiranë. /Radio Kosova/

Exit mobile version