Telegrafi

Shqipërinë: Bien të ardhurat në buxhet

Edhe pse në korrik e uli planin e të ardhurave të parashikuara për t’u mbledhur në buxhet me rreth 30 miliardë lekë, qeveria sërish nuk po ia del. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për 11 mujorin, qeverisë i mungojnë rreth 55 milionë dollarë nga taksat dhe burimet e tjera të të ardhurave që ajo ka.

Në fakt, të dhënat tregojnë se administrata tatimore dhe ajo doganore kanë krijuar një deficit edhe më të madh se kaq, por qeveria e ka kompensuar këtë me paratë e arkëtuara nga shitja e Hotel Dajtit.

Nëse nuk do të ishin këto para, mosrealizimet në buxhet do të ishin gati 100 milionë dollarë. Dy vitet e fundit, administrata tatimore dhe ajo doganore po shënojnë rezultatet më të dobëta në mbledhjen e taksave.

Vitin e kaluar, të ardhurat nga taksat u ulën gati me 0.7 për qind, për herë të parë pas shumë vitesh rritje, duke arritur në 26.1 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.
Gjasat janë që edhe këtë vit, shifra të bjerë sërish duke iu afruar nivelit të vitit 2005, çka sinjalizon për rritje të evazionit fiskal.

Por, me gjithë tkurrjen e të ardhurave, qeveria po e mban fort nën kontroll deficitin buxhetor, për shkak se po ndjek një politikë të shtrënguar me shpenzimet. Për 11 mujorin, deficiti ose borxhi i ri i marrë nga shteti për këtë periudhë është 135 milionë dollarë më i ulët nga plani, pasi qeveria ka kryer gati 200 milionë dollarë më pak shpenzime nga parashikimi në buxhet.

Zëri më i goditur është ai i investimeve publike, të cilat deri në nëntor janë 52 milionë dollarë më pak se plani i buxhetit dhe gati 100 milionë dollarë më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë. /Tch/Telegrafi/