Ministri shqiptar i Mbrojtjes Niko Peleshi e konsideroi sot thelbësor angazhimin dhe përkushtimin e efektivëve shqiptarë në 8 misione ndërkombëtare të rëndësishme për sigurimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.
“Dyfishimi i pagave për efektivët e Forcave të Armatosura në misionin e KFOR në Kosovë tregon qartë angazhimin tonë për të vlerësuar punën e tyre në mënyrë të drejtë. Vazhdojmë të punojmë për të siguruar një rritje të përgjithshme të pagës për të gjithë personelin tonë në misione”, u shpreh ministri.
Peleshi theksoi se “Shqipëria është eksportuese e paqes dhe aleate dinjitoze në NATO”.
Këshilli i Ministrave vendosi disa ditë më parë shtyrjen deri në 31 dhjetor 2027, të pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR në Kosovë.
Gjithashtu në vendim ndryshon edhe dieta për ditët e qëndrimit, pasi nga 6,000 lekë në ditë shkon në 12 mijë lekë në ditë, përveç pagës mujore.
Në një postim tjetër, Peleshi e ka konsideruar ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave pushtuese të Millosheviçit, një nga ngjarjet më decizive në historinë e Kosovës. “Dita që i dha fund gjenocidit ndaj popullit shqiptar në Kosovë”, shkruan Peleshi.
“NATO, pjesë e së cilës është sot Shqipëria e së shpejti edhe Kosova, e dëshmoi veten si një Aleancë vlerash humaniste, një organizatë kombesh të lira e demokratike që jo vetëm i proklamon këto vlera, por është edhe e gatshme të luftojë për to. Sot Kosova është e lirë në sajë të kësaj ndërhyrjeje, e shqiptarët u janë borxhlinj aleatëve që iu gjendën në një kohë të errët”, tha ministri i Mbrojtjes. /Telegrafi/