Telegrafi

Shqipëria vlerësohet për kryesimin e suksesshëm të OSBE-së

Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Schmid vlerësoi sot se Shqipëria është një anëtare aktive dhe e besuar e OSBE-së.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit në Tiranë me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, Schmid vlerësoi veçanërisht rolin e Shqipërisë gjatë kryesimit të OSBE-së.

Schmid tha se i ka bërë shumë përshtypje roli i Shqipërisë dhe arritjet në fushën e politikës së jashtme edhe si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Shumë kolegë në OSBE ruajnë ende konsiderata të larta për kryesimin e suksesshëm të OSBE-së nga Shqipëria. E vlerësoj shumë edhe agjendën tuaj për gratë në KS të OKB-së. Në OSBE ne vlerësojmë se është jetësore që të sjellim së bashku gratë dhe të rinjtë si aktorë të së ardhmes në arenën e sigurisë”, tha ajo.

Schmid theksoi se “ne jetojmë në kohë shumë të vështira për shkak të agresionit në Ukrainë, i cili ka pasur impakt edhe përtej Ukrainës”. ”OSBE është një shtyllë kryesore për arkitekturën e sigurisë në Evropë”, tha ajo.

Ajo vlerësoi po ashtu progresin që është bërë me Reformën në Drejtësi.

“Kam qenë në Shqipëri në qershor 2016, para miratimit të Reformës në Drejtësi. Që atëherë ju keni bërë progres të jashtëzakonshëm për sa i përket reformave gjyqësore dhe jam e lumtur që e keni bërë këtë me mbështetjen e misionit tonë. Ne kemi punuar në shumë fusha të ndryshme, kemi kontribuar për projekte të ndryshme dhe kemi menduar të adresojmë zbatimin e impaktit të ndryshimeve klimatike”, shtoi ajo.

Po ashtu, Schmid përgëzoi Shqipërinë që është përzgjedhur si vendi ku do të mbahet kampusi i tretë i Kolegjit Evropian, që është institucioni më i rëndësishëm pasuniversitar në BE.

“Është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe rajonin dhe të rinjtë do të kenë përfitime duke mësuar për vlerat evropiane”, tha ajo. /Telegrafi/