Një grup gazetarësh dhe tur operatorësh nga Gjermania kanë mbërritur në Shqipëri në kuadër të një “Turi Familjarizues” për të promovuar turizmin shqiptar.
Gazetarët gjerman së bashku me drejtuesit e disa agjencive turistike do të qëndrojnë në vendin tonë nga data 4 qershor deri më 16 qershor.
Turi nisi me një vizitë në Liqenin e Fierzës, Parkun Kombëtar Nikaj Mërtur, një shëtitje në qytetin e Kukësit dhe më pas vizita në qytetin e Prizrenit.
gjermanet (9)Gjatë ditëve të tjera të qëndrimit ata do të kenë mundësinë të vijojnë itinerarin në jug të Shqipërisë për të parë nga afër potencialin që ofron bregdeti.
Në program është përfshirë vizita në rajonin e Himarës për të promovuar një lloj turizmi ndryshe.
Bëhet fjalë për markimin e shtigjeve që përdoren nga turistë të cilët preferojnë ecjet në natyrë dhe udhëtimet përmes biçikletave malore.
Të dy këto produkte të reja turistike në këtë zonë janë mundësuar nga bashkëpunimi që Qeveria Shqiptare ka me kooperacionin gjerman GIZ.
Kjo formë e drejtpërdrejtë marketingu për turizmin shqiptar nëpërmjet të tilla tureve ka rezultuar efikase duke parë numrin në rritje të publikimeve në media për turizmin shqiptar.
Ky tur është organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Zyrën e Kooperimit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).