Përpos Kosovës, sukses mbresëlënës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (IMO), kanë shënuar edhe garuesit nga Shqipëria. Derisa Kosova mori një medalje të bronztë dhe dy medalje nderi, nga ky kompeticion garuesit e shtetit shqiptar janë kthyer me një medalje të bronztë dhe tri mirënjohje nderi.
Shqipëria këtë vit u përfaqësua nga Gledis Kallço, Ana Peçini, Barjol Lami, Fjona Parllaku, Keivin Isufaj dhe Enea Prifti. Nxënësi Gledis Kalço, arriti të fitoi medaljen e bronztë, ndërsa Ana Peçini, Barjol Lami dhe Fjona Parllaku morën medalje nderi.
Protagonistët e këtyre çmimeve kanë thënë për Telegrafin se janë të entuziazmuar më atë që kanë arritur në edicionin e 57-të të Olimpiadës Ndërkombëtare të Matematikës (IMO), të mbajtur në Hong Kong.
Por, zhgënjimi i tyre i madh është më institucionet dhe shtetin shqiptar, i cili nuk ka marrë mundin t’i mbështesë talentët e ri të shtetit të tyre.
Madje sipas tyre, vështirësitë financiare me të cilat përballet ekipi shqiptar janë më se evidente.
Njëra nga laureatët e ekipit të Shqipërisë, Ana Peçini, ka thënë për Telegrafin se në Shqipëri mungon përkrahja dhe inkurajimi i talenteve.
Sipas saj, në qoftë se do ekzistonte interesim më i madh nga ana e shoqërisë sonë dhe institucioneve shtetërore, rezultatet do ishin shumë më të kënaqshme.
“Shtetet tjera në këtë garë kanë financime prej më të ndryshmeve; që nga përgatitja, trajnimet e deri te sigurimi i biletës së udhëtimit, ndërsa ne kemi arritur deri këtu me forcat tona. Më pas i jemi falëmnderues edhe Shoqatës së Matematikës në Shqipëri”, ka theksuar Peçini.
Fjona Parrllaku dhe Bajrol Lami – fitues të medaljeve të nderit – kanë theksuar se janë të brengosur se si institucionet shqiptare e kanë injoruar suksesin e përfaqësueses shqiptare gjatë këtij viti në IMO.
Sipas Parllakut dhe Lamit, familjarët dhe miqtë janë ata që kanë ofruar mbështetjen e tyre maksimale në këtë rrugëtim. “Megjithatë, nuk mund të shprehemi në të njëjtën mënyrë për institucionet shqiptare. Për fat të keq, Ministria dhe autoritetet shqiptare nuk na kanë kushtuar vëmendjen dhe ndikimin e tyre”, kanë theksuar ata.
Këta dy laureatë kanë thënë se nuk kanë patur as me të voglën mbështetje, qoftë nga ana financiare, qoftë nga ajo morale; si p.sh: shpërblime apo mirënjohje për çmimet e fituara ose diçka të ngjashme.
“Kjo përbën edhe një pengesë të pakalueshme për ata që nuk kanë mundësi financiare për t’u bërë pjesë e ekipit përfaqësues në olimpiadat ndërkombëtare apo demotivim për pjesën tjetër që është e gatshme për të qenë pjesë e ekipit, por nuk siguron asnjë shpërblim – përveç atij moral”, kanë thënë Parllaku dhe Limani.
Ata kanë thënë se shpresojnë shumë që pjesëmarrësit në vitet e ardhshme të mos e kenë fatin e tyre, por ta kenë përkrahjen institucionale dhe ta prezantojnë vendin e tyre sa më dinjitetshëm, duke shtuar se janë të bindur se një ndryshim i qasjes së institucioneve ndaj këtyre garuesve do të ndikonte që rezultatet të ishin edhe më kulmore.
I kontaktuar nga Telegrafi, kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Shqipërisë, Adrian Naço, tregon për vështirësitë që po përballet shoqata.
Ai ka thënë se sa i përket mbështetjes financiare ajo është pothuajse inekzistente.
“Shoqata Shqiptare e Matematikës si anëtare e olimpiadave të ndryshme ndërkombëtare siguron pjesëmarrjen e ekipit shqiptar në to, por nga ana tjetër përballet me vështirësinë e sigurimit të fondeve të mjaftueshme për trainimin, promovimin dhe mbulimin e shpenzimeve të pjesëmarrësve të ekipeve në këto gara”, ka theksuat Naço.
Sipas tij, e vetmja mbështetje financiare e dhënë deri tani nga Ministria është mbulimi i gjysmës së shpenzimeve të udhëtimit për ekipin që përfaqësoi Shqipërinë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (2014), dhe mbulimi një të katërtën e biletave të udhëtimit për Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (2015).
“Të gjitha pjesëmarrjet tjera janë mbuluar nga vetë familjet e pjesëmarrësve. Është për të ardhur keq kur konstaton nga biseda me pjesëmarrës të vendeve të tjera që rasti i Shqipërisë është unik në botë sa i përket mbështetjes financiare”, ka theksuar ai.
Naço ka sqaruar se këtë vit çdo pjesëmarrës ka siguruar pjesëmarrjen nga fondet e veta personale. “Pra, secili nga pjesëmarrësit e ka përballuar koston e udhëtimit prej 1200 euro, duke mos marrë parasysh edhe shpenzimet e bëra nga vetë ata për fazat tjera”, ka shtuar ai.
Nxënësit një pjesë të suksesit të tyre ua dedikojnë profesorëve të tyre për punën vullnetare që kanë bërë me ta.
Anëtari i ekipit shqiptar, Enea Prifti, ka thënë se për të marrë pjesë në olimpiada Ndërkombëtare duhen kaluar disa faza, e të cilat sipas saj, ka arritur t’i kaloi falë punës së profesorëve Adrian Naço dhe Enkel Hysnelaj.
Edhe anëtari tjetër, Keivin Isufaj, ka falënderuar profesorët që me punën e tyre vullnetare e kanë ndihmuar ekipin e Shqipërisë të ketë sukses në këtë olimpiadë.
Ai ka thënë se gjatë kohës kur ishin nё Hong Kong, lidhjet me rrjetet sociale nuk ishin mё tё mirat, por me sa duket jehona pёr rezultatet e arritura nё atё olimpiadё ishin përhapur dhe vlerësuar nga e gjithë shoqёria shqiptare, tё njohur e tё panjohur .
“Gjej rastin tё falënderojë Shoqatën Shqiptare tё Matematikës e cila maksimalisht punoi me ne dhe na qëndroi afër duke na pёrgatitur drejt thyerjes sё frikёs mbi pёrballjen me njё eveniment tё tillё. Dua tё theksoj se ishte investimi vullnetar i trajnuesve tanё gjatё ditëve tё përgatitjeve, tё cilën profesor Adrian Naco, profesor Enkel Hysnelaj , Redi Hadёri dhe Alboreno Voci, e bёnё me njё përkushtim dhe pёrgjegjёsi tё plotё. Kёto ishin tё vetmit qё na u gjenden pranë, duke eklipsuar edhe financimet e pritshme, por qё nuk erdhën nga organe tё tjera arsimore”, ka theksuar Isufaj.
Telegrafi, në anën tjetër ka tentuar t’i kontaktojë zyrtarët përgjegjës në Ministrinë e Arsimit te Shqipërisë, në lidhje me atë se si do të trajtohen talentë shqiptarë në të ardhmen, por për fat të keq nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ana e tyre./Telegrafi/