Site icon Telegrafi

Shqipëria të vazhdojë me implementimin e reformave

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua në Berlin me Presidentin e Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert.

Gjatë takimit, Meta dhe Lammert vlerësuan marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke evidentuar në veçanti nivelin e lartë të shkëmbimeve parlamentare gjatë viteve të fundit.

Kryetari i Kuvendit Meta e informoi Presidentin Lammert mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri duke veçuar miratimin me konsensus të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen gjermane.

“Ne jemi të vendosur të avancojmë me zbatimin e reformës në drejtësi dhe me përmbushjen e të gjithë rekomandimeve të Komisionit në progres-raportin e fundit, dhe në këtë drejtim mbështetemi te Gjermania dhe te Bundestagu”, theksoi Meta.

Kurse presidenti i Bundestagut, Lammert shprehu vlerësimin për progresin e arritur dhe vuri në dukje se çdo vend që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duhet të kalojë përmes fazave të vështira të rritjes së standardeve të qeverisjes sipas standardeve të BE.

“Shqipëria duhet të vazhdojë me implementimin e reformave të nisura sipas standardeve evropiane dhe në këtë drejtim mund të mbështeteni te përkrahja e Gjermanisë, ashtu si edhe në të kaluarën”, tha Lammert.

Kryetari Meta dhe Presidenti Lammert biseduan gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe ndanë bindjen se në kontekstin e momenteve të sfidave aktuale në BE, Procesi i Berlinit është kyç për të motivuar dhe për të ruajtur perspektivën integruese të Ballkanit në BE, si tepër të rëndësishme për sigurinë mbarë evropiane. /Telegrafi/

Exit mobile version