Site icon Telegrafi

Shqipëria do të lirojë 600 të burgosur në fundvit

Dy vjet nga amnistia e fundit në burgje, ku përfituan më shumë se 700 të dënuar, edhe këtë vit po përgatitet një ligj që parashikon të lirojë nga qelitë të paktën 600 të dënuar.

Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një draft, që, sipas burimeve, është thuajse i ngjashëm me atë të fundvitit 2016, të cilin e ka dërguar për mendim në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Ministrinë e Brendshme. Më pas, pritet që projektligji të kalojë në Parlament për votim, në mënyrë që në prag të festave të lirohen të gjitha ata që do të përmbushin kriteret e përcaktuara.

Vitin e kaluar nuk pati ligj për amnisti, pasi me një arsyetim të atëhershëm të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ishte vonë për përgatitjen e projektligjit. Ndërsa, ashtu siç kishte paralajmëruar vitin e kaluar Gjonaj, në amnistinë e këtij viti është propozuar që të mos përfitojnë autorët e dhunës në familje. Viti 2016 ishte i vetmi vit pas më shumë se 10 vitesh, që nuk ndodhte një amnisti për të dënuarit.

KUSH PËRFITON

Nga projektligji i amnistisë do të përfitojnë të gjithë qytetarët e burgosur apo që janë në proces gjyqësor për veprat penale të konsideruara të lehta, që parashikojnë maksimumi deri në 3 vite burgim. Edhe personat që janë arrestuar, apo është dhënë dënim i formës që prerë deri në datën kur hyn në fuqi ligji, do të përfitojnë. Ndërsa ata që janë në proces gjykimi, akuzat ndaj tyre pushohen në gjendjen që janë.

Burimet thanë, se deri në këtë fazë të përgatitjes së draftit parashikohet të amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet. Gjithashtu edhe personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, si dhe personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale, të konsideruara të rënda, me përjashtim të përsëritësve.

ATA QE NUK PËRFITOJNË

Nuk do të përfitojnë nga amnistia të dënuarit me burgim të përjetshëm, ata për dhunë në familje, për korrupsion, etj.. Gjithashtu, nuk përfitojnë të dënuarit apo ata që janë në proces për krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75 të Kodit Penal. Personat e dënuar apo në proces për krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 82, 83/ a, 83/b e 84/a, të Kodit Penal, si dhe në nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak.

Ata që akuzohen për vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, 88, 89/a e 99, të Kodit Penal, si dhe krime seksuale, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenin 114 dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 117, të Kodit Penal. Ashtu si në ligjin për amnistinë e vitit 2016, parashikohet të mos përfitojnë nga amnistia personat e akuzuar për vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e dytë e të tretë, të nenit 124/b, në nenet 128/a,128/b, 129 e 130/a, të Kodit Penal; vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; vepra penale kundër falsifikimit të monedhave dhe letrave me vlerë; vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve; vepra penale kundër mjedisit; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; vepra me qëllime terroriste; krime kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve; vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal; Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, qofshin këta shtetas që i janë shmangur autoritetit të ndjekjes penale apo të dënuar që i janë shmangur ekzekutimit të vendimit të dhënë, deri në datën 25.12.2016; Nuk përfitojnë nga kjo amnisti përsëritësit e së njëjtës vepër penale.

Amnistohen personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën kur hyn në fuqi ligji.

Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç.

Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale, të konsideruara të rënda./Panorama

Exit mobile version