Ministrja shqiptare e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se Shqipëria ka siguruar 700,000 doza vaksinash Pfizer të adaptuara për variantet e reja të Covid-19.
Në një komunikim me gazetarët, Manastirliu tha se ende ka raste infektimi dhe është siguruar furnizim në vazhdim me vaksina anti-Covid.
“Kemi një marrëveshje me kompaninë Pfizer për të siguruar që dozat e para blera, që janë rreth 700,000, do të jenë vaksina të adaptuara për variantet e reja të koronavirusit”, tha ministrja.
Manastirliu theksoi edhe se qeveria ka vendosur që me buxhetin e vitit 2023 të mbështesë gratë me tre apo më shumë fëmijë, ku njëri prej fëmijëve është deri në moshën 5 vjeç dhe të ardhurat familjare mujore nuk kalojnë 100,000 lekë.
“Është një mbështetje financiare në kuadër të një politike të qëndrueshme për nënat e papuna që kujdesen për fëmijët”, tha Ogerta Manastirliu. /Telegrafi/