Ekspertë dhe drejtues të agjencive turistike në Shqipëri thonë se sezoni veror ka diversifikuar ofertën. Kjo nënkupton se gjeografia e pushuesve që zgjedhin brigjet shqiptare gjatë sezonit të verës ka ndryshuar. Në jug është rritur prezenca e pushuesve disaditorë nga vendet me origjinë sllave, kryesisht nga Polonia dhe Rusia.
Të dhënat e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Çekisë tregojnë se numri i turistëve ka arritur në 16,000 duke u dyfishuar në krahasim me tre vitet e mëparshme.
Maqedonasit, si dhe shqiptarët e Maqedonisë, gjithashtu preferojnë destinacione si Saranda, Vlora apo Ksamili. Shqiptarët e Kosovës të paktën në dy tre-tre vitet e fundit kanë braktisur disi Durrësin, destinacionin klasik dhe janë orientuar më shumë drejt plazheve të Lezhës apo edhe Shkodrës.
Sipas të dhënave të Policisë kufitare, deri tani kanë hyrë rreth një milion pushues nga pika kufitare e Morinës. Ekspertët e turizmit thonë se familjarët do të nxitojnë që të mbyllin pushimet brenda gushtit, duke dhënë kështu më shumë një efekt ndaj kohëzgjatjes së sezonit turistik. Ata mendojnë se sfida e turizmit shqiptar nuk duhet të jenë shifrat, por zgjatja e sezonalitetit dhe shtimi i vlerës së shpenzuar si dhe netqëndrimeve. Sipas tyre, pushuesit nga vendet e ish-bashkimit Sovjetik janë shpenzues më të mëdhenj se bashkëkombësit shqiptarë dhe kjo është një plus për turizmin shqiptar i cili duhet të bëjë përpjekje për të ruajtur këtë kontingjent.