Telegrafi

Shqipëria shpreh pamundësinë e organizimit të Evropianit në peshëngritje 10 javë para fillimit

Pas deklarimit të pamundësisë së Shqipërisë për të organizuar Kampionatin Europian të Peshëngritjes, Federata Europiane e këtij sporti është kapur e papërgatitur dhe tashmë i duhet të luftojë me kohën, për të gjetur një tjetër ‘shtëpi’, për të zhvilluar eventin.

Dorëheqja e Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, pro edhe e Bordit Ekzekutiv, për shkak të skandalit të dopingut, ka bërë që Shqipëria të ketë të pamundur organizimin e eventit, pasi praktikisht tani Federata nuk ekziston më, deri në riorganizim.

“Ka pasur një presion shumë të fortë nga publiku dhe media në Shqipëri, që u pasua me dorëheqjen e të gjithëve. Tani Shqipëria nuk ka një federatë peshëngritjeje dhe askush nuk mund të merret me organizimin e kampionatit Europian. Kjo ishte një surprizë e pakëndshme për Federatën Europiane të Peshëngritjes dhe federatat anëtare të saj”, u shpreh Hasan Akkus, Sekretar i Përgjithshëm pranë Federatës Europiane të Peshëngritjes.

10 javë nga fillimi i kampionatit, i planifikuar të zhvillohet më 26 Mars-01 Prill, Rumania dhe Gjeorgjia shikohen si të vetmet vende që mund të mirëpresin këtë event, ndonëse koha është shumë e limituar.

“Është thuajse e pamundur që ne të organizohemi në kaq pak kohë, por nëse mund ta ndihmojmë Federatën Europiane të Peshëngritjes, do të tentojmë. Është situatë alarmante. Nga informacionet e mia, disa Federata kanë prerë edhe biletat e udhëtimit për në Tiranë”, u shpreh Alex Padure, President i Federatës së Peshëngritjes në Rumani.

Kujtojmë që dorëheqjet në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes erdhën pas lajmit se Romela Begaj rezultoi pozitive me substancën Stanozolol, pas Botërorit të Anaheimit. /Supersport