Shqipëria ka përmirësuar masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, duke treguar përparim të mirë në nivelin e përputhshmërisë me standardet e Task Forcës së Veprimit Financiar, deklaron organi e Këshillit të Evropës kundër pastrimit të parave, Moneyval, në raportin e tij të publikuar sot.
Hapat pozitivë të ndërmarrë nga autoritetet shqiptare rezultuan në përmirësimin e vlerësimeve të vendit nga “pjesërisht në përputhje” në “kryesisht në përputhje” në dy fusha që lidhen me transparencën dhe pronësinë përfituese të personave juridikë dhe rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare; si dhe në përmirësimin e mëtejshëm në fushën e ndihmës juridike të ndërsjellë në lidhje me ngrirjen e aseteve dhe konfiskimin.
Moneyval ka rishikuar më tej një sërë masash legjislative, rregullatore dhe institucionale të prezantuara në këto fusha. Për shkak të kufizimeve procedurale, organi i Këshillit të Evropës nuk vlerësoi shkallën në të cilën masat janë zbatuar në mënyrë efektive në praktikë.
Zhvillime të tjera pozitive të vërejtura nga Moneyval përfshijnë miratimin e ligjit “Për regjistrin e pronësisë përfituese”, i cili ka krijuar mekanizmin e nevojshëm për marrjen dhe mbajtjen e informacionit të saktë dhe të përditësuar të pronësisë përfituese.
Gjithashtu, Shqipëria ka përmirësuar legjislacionin e saj për të garantuar saktësinë e informacionit bazë të personave juridikë të paraqitur në Regjistrin Tregtar dhe gjithashtu ka vendosur sanksione të reja për mospërputhje me kërkesat e regjistrimit. Megjithatë, ato ende nuk konsiderohen proporcionale.
Shqipëria ka ndërmarrë hapat e nevojshëm në fushën e licencimit të institucioneve financiare jobankare me synimin për të parandaluar kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre që të kenë (ose të jenë pronarë përfitues) të një interesi të rëndësishëm ose kontrollues ose të mbajnë një funksion drejtues.
Në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike, Shqipëria ka krijuar mekanizmat e nevojshëm për ekzekutimin e urdhrave të konfiskimit të huaj, ndarjen e aseteve të konfiskuara me vendet e huaja dhe dhënien e ndihmës për konfiskimet pa dënim.
Në përgjithësi, Shqipëria ka përmbushur pritshmërinë e përgjithshme të Moneyval duke adresuar shumicën – nëse jo të gjitha – mangësitë teknike të pajtueshmërisë brenda tre viteve pas miratimit të raportit të vlerësimit të ndërsjellë.
Juridiksioni ka arritur përputhshmëri të plotë me shtatë nga 40 rekomandimet e Task Forcës së Veprimit Financiar, që përbëjnë standardin ndërkombëtar në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ka ende mangësi të vogla në zbatimin e 29 rekomandimeve ku Shqipëria është gjetur “në masë të madhe në përputhje”.
Vendi mbetet “pjesërisht në përputhje” me katër rekomandimet në lidhje me sanksionet financiare të synuara për financimin e përhapjes; teknologjitë e reja; transparencën dhe pronësinë përfituese të marrëveshjeve ligjore; dhe mbikëqyrjen e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jofinanciare”. Vendi nuk ka vlerësime “të papajtueshme”.
Shqipëria do të mbetet nën ndjekjen e zgjeruar të Moneyval dhe pritet të raportojë mbi progresin për të forcuar zbatimin e masave të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit brenda dy vjetësh. /Telegrafi/