Site icon Telegrafi

Shqipëria rrëshqet drejt zgjedhjeve

Qeveria në Shqipëri ka filluar të luhatet dhe sipas kërcënimit të kryeparlamentarit Ilir Meta, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në Tiranë mund të formohet një qeveri teknike.

Edhe pse ideja e kryeparlamentarit Meta nuk ka marrë mbështetjen e korit diplomatik të akredituar atje, prapë reforma në drejtësi e bën të paqëndrueshme Qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Takimi i djeshëm trepalësh Rama-Meta-Basha nuk solli diçka konkrete edhe pse mësohet se ambasadori amerikanin, Donald Lu, dhe ai i BE-së, Romana Vlahutin, kanë kërkuar marrëveshje për drejtësinë, por nuk e kanë mbështetur qeverinë teknike, shkruan sot gazeta “Zëri”.

“Partia Demokratike dhe unë e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë krijimin e një qeverie teknike si një domosdoshmëri për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe për stopimin e krizës së gjithanshme të vendit”, ka thënë Lulzim Basha, kryetari i PD-së.

Ndërsa kryeparlamentari, Ilir Meta, që është edhe kryetar i LSI-së, ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhje, pasi të votohet reforma në drejtësi. Kjo deklaratë ka ngritur e gjithë klasën politike në këmbë.

Krejt kjo krizë politike po vjen si shkak i reformës në drejtësi. Sipas medieve lokale në Shqipëri, Rama është pajtuar se duhet të bisedohet ende reforma në drejtësi.

Propozimi i Ilir Metës për krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhje, pasi të votohet reforma në drejtësi është komentuar aty për aty nga shumica e analistëve më në zë në vend. Ata janë shprehur pro Ramës apo pro Metës, kanë bërë parashikime se kush del i fituar, kush ka të drejtë për reformën dhe se si do të shkojë fati i qeverisë.

Exit mobile version