Site icon Telegrafi

Shqipëria ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë sot në seancë të jashtëzakonshme ka ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Projektligji për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u miratua me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, njofton Telegrafi Maqedoni.

Kryeministri shqiptar Edi Rama fillimisht në fjalimin e tij shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave nga aksidenti në rrugën Shkup-Tetovë, ndërsa më pas tha se Shqipëria çdo herë ka qenë në mbështetje të Maqedonisë.

“Pa shqiptarët nuk do të kishte Maqedonia të Veriut. Shqiptarët dhe gjuha shqipe në atë rajon janë jetike dhe mjaft të rëndësishme si për Maqedoninë e Veriut, po ashtu edhe për rajonin”.

“Kontribut në arritjen e marrëveshjes me Greqinë, kontribut të madh ka edhe kryeministri Zoran Zaev, të cilin e përshëndes edhe për shtrirjen e dorës së vëllazërisë edhe për shqiptarët”, tha mes tjerash Edi Rama.

Ndryshe, protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO duhet të ratifikohet nga 29 vendet-anëtare të NATO-s, ndërsa para Shqipërisë e kanë bërë vendet si Greqia dhe Sllovenia./Telegrafi/

Exit mobile version