Telegrafi

Shqipëria pritet të legalizojë kultivimin e kanabisit industrial, ISHP: Nuk ka një miratim nga të gjithë për impaktin

Shqipëria do t’i bashkohet listës së vendeve europiane që legalizojnë kultivimin e kanabisit mjekësor dhe industrial, por kjo pasi projektligji për kanabisin mjekësor të ketë marrë miratimin nga deputet në parlament. Megjithatë, kultivimi, prodhimi dhe tregtia do të jenë të destinuara vetëm për eksport dhe tregun vendas.

Po cili është mendimi i ekspertëve të ISHP në lidhje me efektet mjekësore dhe terapeutike të kanabisit mjekësore?

“Është parë që pacientët që kanë përdorur  kanabisin kanë raportuar një gjendje të mirë të shëndetit të tyre apo të simptomave të caktuara. Por duhet theksuar se nuk ka një konsensus, një miratim nga të gjithë studiuesit në lidhje me efektet e kanabisit pasi ende janë duke u bërë studime dhe duhen pare sidomos efektet afatgjata të këtyre produkteve dhe çfarë impakti ato kanë”, tha Andia Meksi, eksperte e shëndetit mendor e çrregullimeve të përdorimit të drogës, ISHP.

Ekspertja e çrregullimeve të përdorimit të drogës thotë se studimet po hulumtojnë  sa ndihmues është kanabisi mjekësor në disa sëmundshmëri si varësia ndaj alkoolit dhe ndaj drogave të tjera si heroina . Por ajo që ka rëndësi sipas tyre është një pjesë e fondeve që përfitohen nga ky biznes të përkthehen në shërbime.

“Legalizimi i kanabisit mjekësor është një mënyrë e mirë për të mbledhur të ardhura dhe për t’i përkthyer në shërbime për të rinjtë që kanë varësi nga lëndët narkotike me qëllim rehabilitimin e tyre. Në Shqipëri nuk ka shërbime të tilla për adoleshentët sidomos”, shtoi ajo.

Hulumtimet vlerësojnë se pacientët me probleme të shëndetit mendor e rritën përdorimin e kanabisit mjekësor me 91% gjatë pandemisë ndërsa konfliktet e rënduara gjeopolitike mund ta rrisin edhe më shumë atë tek pacientëve e shëndetit mendor./RTSH