Përkeqësimi i situatës Covid-19 në Kinë ka detyruar shumë vende të Evropës dhe të SHBA-së të kthejnë masa kufizuese për shtetasit kinezë, siç janë testimet nëpër aeroporte, ndërsa komiteti teknik në Shqipëri as është mbledhur për të diskutuar në lidhje me këtë, ndërkohë që udhëtarët që vijnë nga Kina janë të shumtë.
Mesa duket autoritet shqiptare janë në pritje të një vendimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Aktualisht, në Shqipëri rezultojnë mesatarisht 15 raste çdo 24 orë dhe situata duket e qetë, ndërkohë që në Kine është shfaqur një variant i ri i Covid, Gryphon, i familjes “Omicron” por që mendohet se i tejkalon vaksinat anti Covid.
Edhe pse nga Kina informacionet janë të pakta, pasi ata kanë bllokuar publikimin e numrit të të infektuarve dhe humbjeve të jetës, shkencëtarët mendojnë se ata janë duke qarkulluar disa nënvariante të reja.
Kujtojmë se Shqipëria ka miratuar së fundmi heqjen e vizave me Kinën. /Telegrafi/