Një grup ekspertësh të aviacionit, pilotë, ish-pilotë dhe të apasionuar, synojnë që të rikthejnë profesionin e pilotit në sektorin ajror shqiptar.
Synimi i tyre është ngritja e një ekosistemi të qëndrueshëm të aviacionit, si dhe trajnimi i profesionistëve të ardhshëm, të cilët do t’i shërbenin aviacionit civil, por edhe atij ushtarak.
“Kjo iniciativë është bërë për të krijuar një mundësi të re për trajnim në Shqipëri për sa i përket aviacionit. Aktualisht Shqipëria nuk ka. Shqipëria ka një potencial shumë të madh për të zhvilluar trajnime të tilla.”
Rikthimi i këtij profesioni është i shumëpritur për Agim Duron, i cili ka punuar për 30 vite si pilot.
“Zanati i pilotit është diçka e veçantë. Është edhe nostalgji, dashuri“, thotë z. Duro.
Duro tregon më konkretisht se në cilën fazë është kjo nismë.
“Falë edhe Drejtorisë së Aviacionit Civil, por edhe shtetit, që ka bërë ligjet, na ndihmuan shumë për të arritur deri këtu. Kjo është faza e parë. Faza e dytë është shumë më e komplikuar, se ka të bëjë me ngritjen e stafit pedagogjik dhe të instruktorëve, të cilët do të fluturojnë në ajër me studentët e rinj, të cilët do të kenë dëshirën për të fluturuar me ne,” shpjegon ish-piloti.
Aviacioni është një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe modernizimit.
Sipas një studimi të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil deri në vitin 2030 do të nevojiten mbi 2 milionë pilotë, teknikë mirëmbajtjeje, si dhe kontrollorë.
Për ekspertët e pranishëm, Shqipëria ofron potenciale të jashtëzakonshme për formimin e pilotëve dhe teknikëve të kualifikuar në vend.