Site icon Telegrafi

Shqipëria po vërshon

Moti me shi që kaploi Shqipërinë këto ditë po lë pasoja të pariparueshme dhe shkatërruese atje, edhe në aspektin teknik-infrastrukturor (duke shkatërruar shtëpi banimi, shkolla, rrugë, etj), por edhe në aspektin politik-qeverisës (Qeveria e Shqipërisë po del të jetë e paqëndrueshme).

Ky shi (me bereqet), i mbushi me ujë sidomos liqenet artificiale dhe natyrore përmes të cilave prodhohet energjia elektrike, pra rryma, që furnizon Shqipërinë. Ashiqare, nga ky mot me shi, Qeveria e Shqipërisë tentoi të fitojë ndonjë euro më shumë (lekë) nga shitja e rrymës së prodhuar nga këto hidrocentrale. Këtë rrymë ai e shërbeu në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit tonë. Kështu, ai mbushi liqenet përplot ujë, deri në masë, siç duket, të papërballueshme. Kështu, kur u pa që digat e liqeneve do të çaheshin dhe shpërthenin nga presioni i ujit, u urdhërua hapja e tyre në mënyrë që uji të derdhet jashtë në mënyrë që të ulet presioni. E uji i derdhur i stër-tepruar po përmbysë dhe po shkatërron çdo gjë para vetes duke lënë pasoja tek qytetarët e pafajshëm të vendbanimeve në pjesën veriore të Shqipërisë.

Tashti, nuk dyshoj në qëllimin e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe të Qeverisë së tij. Ai qëllim ishte dhe mbetet përplot fjalë miradije për zhvillimin e vendit të tij. Por, përtej këtij qëllimi, çështja që shtrohet është mënyra se si ai po e qeverisë vendin e tij, Shqipërinë.

Nuk e besoj që moti me shi dhe sjellja e Qeverisë së Shqipërisë, në krye me kryeministrin e vet, të jetë ajo situata ku do të thosha “A ju kam thënë”. Nuk e besoj që tashti është koha për të shprehur dhe shpërndarë cinizëm e ironizëm, por Qeveria shqiptare, me kryeministrin, Sali Berisha, mbetet në rrugë të gabuar për të qeverisur dhe udhëhequr Shqipërinë. Atij i shpërtheu Gërdeci (flaka), iu shemb tuneli i Kalimashit (dheu) dhe tashti po përmbyset edhe Shkodra (uji). Dua të them, nëse i japim kësaj çështje dhe qasje pakëz mëlmesë fetare, del që edhe Zoti po mundohet jo vetëm të heq Sali Berishën, por edhe ta shpëlajë atë bashkë me politikanët e tjerë rreth tij.

Ashiqare, çdo ditë e më shumë po e shohim dhe po bindemi që Shqipëria nuk po ndryshon, por ajo, realisht, po digjet nga flaka (Gërdeci), po shembet nga dheu (Kalimashi), e tashti po vërshon edhe nga uji (Shkodra). Kësaj here, Shqipëria po fundoset nga uji me bereqet i Zotit që po keqpërdoret nga Qeveria shqiptare, por edhe nga të bëmat dhe aferat tjera qeverisëse.

Për njerëzit që e duan Shqipërinë dhe në veçanti kombin shqiptar (sic!), me këtë model qeverisje, Shqipëria po shndërrohet në një rrugë që po na ndanë të gjithëve, edhe Kosovën, edhe pjesën shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Serbisë. Shqipëria ngadalë po shndërrohet në një ankth prej ëndrre e cila jo vetëm po na largon por edhe po na frikëson nga njëri-tjetri çdo ditë e më shumë.

Po e përsërisë, ka pasur përplot raste të tjera, por ky rasti (shpresohet) i fundit me hidrocentralet në Shqipëri, u tregoj të gjithë qytetarëve të Kosovës, e në veçanti politikanëve në Kosovë se nuk ka asnjë arsye, ama asnjë, pse kosovarët duhet t’i kenë lakmi kryeministrit shqiptar dhe Qeverisë së tij, përkatësisht, modelit qeverisës atje.

Exit mobile version