Qëndra Kombëtare Operacionale e Mbrojtjes Civile bën me dije se në Lezhë janë aktive 4 vatra zjarri, në njësinë administrative Shëngjin, zona Rëra e hedhur-Maja e Zezë dhe po punohet për izolimin e tyre.
Zjarri në malin e Kakarriqit është izoluar pothuajse totalisht. Ndërsa në Rubik, në fshatin Katund i Vjetër, vatra ka intensitet të ulët dhe është nën monitorim.
Në Elbasan ka patur një vatër zjarri në Gramsh në fshatin Siman. Policia ka nisur hetimin për shkaqet e zjarrit. Në Fier nga 3 vatra, 2 tashmë janë lokalizuar dhe janë drejt përmirësimit. Situata është nën kontroll edhe në fshatin Hekal në Mallkastër, ku u raportua për zjarr në sipërfaqe me shkurre ullishte dhe pemtari.
Vështirësi ka paraqitur terreni në njësinë administrative Terpan në pyllin e Ballollit në Berat, por zjarri nuk përbën rrezik për komunitetin, pasi ndodhet larg zonave të banuara.