Telegrafi

Shqipëria nxjerr në privatizim nëndetëse

Ministria vë në dukje se shoqëria fituese duhet ta mbyllë të gjithë procesin brenda gjashtë muajve nga data e lidhjes së kontratës. Brenda këtij afati, të tria nëndetëset duhet të merren nga baza ushtarake e Pashalimanit, ndërsa shoqëria ka të drejtë t’i shkrijë për lëndë të parë çelik dhe bakër.

Nuk përjashtohet mundësia që njëra nga nëndetëset të përdoret për qëllime turizmi, pra të kthehet në objekt argëtimi, si bar-restorant.
Burime të ministrisë thonë se “ka një ide që njërën nga nëndetëset ta kthejnë në ambient argëtimi, pra shërbim bar-restoranti, brenda në det”.

Edhe pse çmimi fillestar nis nga 340 mijë dollarë për të tria së bashku, sërish konsiderohet leverdi për çdokush që i blen, ose ofron diçka më tepër sesa ka deklaruar ministria, pasi bursat tregojnë se çeliku dhe sidomos bakri, janë në kuota të leverdishme, 600-1.000 dollarë për ton.

Të tria nëndetëset kanë peshë prej rreth 2 mijë tonësh (650 tonë secila) dhe përbëhen nga çeliku dhe bakri.

Aktualisht gjendja e tyre është kritike, shkaktuar nga trazirat e 1997-s, aq sa janë gati të fundosen. Për Ministrinë e Mbrojtjes është e vështirë mirëmbajtja e tyre, në një kohë që brenda nëndetëseve nuk ka mbetur asgjë, por vetëm skeleti.

Nxjerrja në ankand, thjesht shton ca të ardhura për buxhetin e ministrisë, ndërsa mbajtja në gjendjen aktuale nuk krijon asnjë leverdi, por vetëm humbje.
Me vendim qeverie, i vitit 2002, të katërta nëndetëset e mbetura, duhet të dalin për shitje në ankand.

Por një ish-funksionar i lartë i ministrisë thotë se njëra do të mbetet si objekt muzeal, ndërsa një tjetër ka shumë gjasa të përdoret për turizëm, pra të kthehet në ambient argëtimi, nisur nga ndarja e hapësirave që ka nëndetësja.
Në datën 3 mars 2010, qeveria vendosi miratimin për shitjen e dy nëndetëses 332 “Tufani” dhe nëndetëses 334 “Vetëtima”.

Por në ankandin e 31 majit do të dalë për shitje një tjetër nëndetëse, “Rrufeja” ose “Stuhia”, 650 tonë secila.
Fatin më të mirë, mendohet ta ketë vetëm njëra nga nëndetëset, pikërisht “e famshmja 105”, e përdorur si objekt propagande nga sistemi komunist.

Reagim kundër qeverisë për shitjen e tyre ka pasur nga një grup veteranësh vlonjatë, ish-ushtarakë të marinës dhe Pashalimanit, që me anë të një letre dërguar ministrit të Mbrojtjes, i sugjerojnë kthimin e objekteve në muze.
Referuar botimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, ishte nëntori i vitit 1957, kur Shqipëria regjistroi brigadën e parë të nëndetëseve, në Durrës. Detyrën e komandantit të nëndetëses së parë e mori Dashamir Ohri, të nëndetëses së dytë Muharrem Lulolli dhe respektivisht të dy të tjerave Spiro Kote e Shyqyri Çukaj.
Një muaj pas krijimit të brigadës u nisën për t’u kualifikuar jashtë shtetit të gjithë specialistët dhe kuadrot.

Trajnimi që zgjati rreth pesë muaj, u bë në Akademinë e Specialiteteve të Nënujëseve në qytetin e Sevastopolit të Krimesë, në Detin e Zi.
Ishte viti 1958, kur pala shqiptare ndërmori misionin për kalimin e nëndetëseve nga Kaleningradi, port ushtarak ky në Detin Baltik, për në Gjirin e Vlorës. Lundrimi vijoi nëpër ngushticat e Kategave dhe Skategave të Danimarkës, në Detin e Veriut, nëpër Lamansh, në Gjirin e Biskajës, dhe, pas pesë ditësh lundrimi në Detin Mesdhe, më 25 gusht 1958, mbërritën në Pashaliman.

Më 17 shtator 1958, është dita kur në nëndetëset luftarake u ngrit flamuri shqiptar. Më vonë erdhën nga Rusia dhe 8 nëndetëse, por që u rimorën pas konfliktit me Moskën.