Prodhuesit kosovarë edhe më tutje nuk po mund t’i thyejnë barrierat kufitare të vendosura nga autoritetet shqiptare për t’i eksportuar lirshëm produktet e tyre në tregun shqiptar. Por e njëjta nuk ndodh edhe për prodhuesit shqiptarë, të cilët edhe më tutje pa asnjë pengesë eksportojnë prodhimet e tyre në tregun kosovar, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë (MTI) shihet se mbi 1000 kompani nga Shqipëria ushtrojnë suksesshëm veprimtaritë e tyre biznesore në vendin tonë. E në anën tjetër të kufirit numri i bizneseve kosovare nuk është as dyshifror.
Të dhënat e marra nga Dogana e Kosovës edhe më shumë konfirmojnë “luftën” tregtare në mes të dyja shteteve shqiptare. Gjatë vitit që lamë pas kompanitë kosovare eksportuan në Shqipëri produkte në vlerë prej 60 milionë eurosh derisa ato të Shqipërisë në vendin tonë sollën prodhime në vlerë prej më shumë se 150 milionë eurosh.
Ashtu sikurse edhe viteve të kaluara, hekurishtet dominojnë në eksportin e Kosovës në këtë shtet derisa për import dominojnë metalet e gatshme, siç është armatura. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës shihet se gjatë vitit që lamë pas Kosova në Shqipëri ka eksportuar hekurishte në vlerë prej 20 milionë eurosh derisa ka importuar hekur të gatshëm në vlerë prej mbi 62 milionë eurosh.
Po ashtu, gjatë vitit që lamë pas nga Kosova për në Shqipëri janë eksportuar mobilieri në vlerë prej 750 mijë eurosh derisa nga ky shtet në vendin tonë janë importuar mobilieri në vlerë prej më shumë se 3.3 milionë euro.
Në kategorinë doganore të identifikuar si “Zarzavatet e ngrënshme” gjatë vitit që lamë pas Kosova në Shqipëri eksportoi produkte në vlerë prej 1.4 milion euro e derisa në anën tjetër Shqipëria importoi në vendin tonë produkte në vlerë prej 7.3 milionë eurosh. Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet se brenda një viti prodhuesit kosovarë në Shqipëri kanë eksportuar pije alkoolike në vlerë prej 7.3 milionë eurosh, produkte të plastikës në vlerë prej 4.3 milionë eurosh, produkte të industrisë bluarëse 4 milionë euro, alumin në vlerë prej 2.8 milionë eurosh, artikuj prej guri 1.3 milion euro, letra dhe karton në vlerë prej 1 milion eurosh, mbetjet dhe kthimet nga industritë ushqimore 1 milion euro, si dhe 10 produkte tjera ku vlera totale e eksportit brenda një viti sillet nga 960 mijë deri në 325 mijë euro.
Mervan Rexhepi, këshilltar politik i ministrit të Tregtisë dhe të Industrisë (MTI), Bajram Hasani, thotë se Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë është në dijeni me vështirësitë të cilat hasin kompanitë kosovare gjatë eksportit në Shqipëri. Ai ka thënë se pas analizave dhe hetimeve preliminare nëse vërteton se ka elemente të cilat mund ta çrregullojnë tregun apo vetëm i kanë shkaktuar dëm një industrie të caktuar vendore, atëherë do të reagojë duke zbatuar legjislacionin në fuqi.
“Për më tepër, Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë është në komunikim të vazhdueshëm me ministrinë gjegjëse në Shqipëri dhe në rast se për një periudhë të shkurtër kohore nuk ka reflektim në këtë drejtim, atëherë jemi të detyruar të aplikojmë masa reciproke ndaj kompanive të Shqipërisë”, ka thënë Rexhepi për gazetën “Zëri”.
Më tutje Rexhepi konfirmon se në bazë të dhënave që kanë në Kosovë operojnë 1.089 kompani të Shqipërisë në të cilat janë të punësuar 3.838 punëtorë.
Sipas tij, kompanitë e Shqipërisë në Kosovë ushtrojnë biznesin në fushën e bujqësisë, të pylltarisë dhe të peshkimit,në industrinë minerale, në industrinë përpunuese, furnzim me rrymë, me gaz, në sektorin e ndërtimtarisë, të tregtisë me shumicë dhe pakicë, transport, akomodim, informim dhe komunikim, aktivitete financiare të sigurimit, aktivitete të patundshmërisë, aktivitete profesionale, shkencore e teknike, shërbime administrative dhe mbështetëse, arsim, shëndetësi, argëtim dhe rekreacion,etj.
Berat Rukiqi, ish-sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), aktualisht ligjërues në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë se mungesa e infrastrukturës që lidh Kosovën me Shqipërinë ishte menduar se ishte pengesa kryesore në shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kjo po del të jetë gabim.
“Sot kur infrastruktura është shumë moderne në aspektin e këmbimeve nuk vërejmë ndonjë ndikim të jashtëzakonshëm. Normal që ka rritje, por e cila do të ishte e arsyeshme në nivel të ndërmarrjeve e jo për t’u krenuar në nivel të të dyja shteteve. Edhe Shqipëria, edhe Kosova nuk kanë ndonjë traditë të marrëdhënieve tregtare biletare ndërmjet vete. Kjo është për shkak të rrethanave historike. Në Kosovë më shumë u besohet Produkteve të vendeve tjera të rajonit, ndërsa në Shqipëri më shumë produkteve të vendeve si Italia”, ka thënë Rukiqi për gazetën “Zëri”.
Sipas tij, paradoksalisht depërtime shumë të shpejta në tregun shqiptar po bëjnë ndërmarrjet serbe, të cilat pas Forumit të Biznesit në Nish kanë rritur dukshëm prezencën në tregun shqiptar dhe kanë në plan edhe projekte të mëdha në fushën e turizmit dhe në sektorë të tjerë strategjikë.
Rukiqi thotë se produktet dhe ndërmarrjet kosovare ballafaqohen me qindra pengesa për hyrje dhe për zgjerim në tregun e Shqipërisë, por e njëjta nuk ndodh për çfarëdo produkti që vjen nga Shqipëria në Kosovë. “Zoti Majko para disa kohësh u është referuar bizneseve ose grupeve të interesit si pengesa për rritje të bashkëpunimit. Por në këtë deklaratë ai nuk ishte i drejtë të tregojë që këto grupe të interesit janë në Shqipëri e jo në Kosovë. Përveç pengesave administrative, barrierave jotarifore dhe pengesave të ndryshme në sezone të caktuara është krijuar një klimë mosbesimi për gjithçka që është nga Kosova”, ka thënë ai.
Lulzim Rafuna, këshilltar për Dogana i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, si dhe këshilltar i ministrit të Financave Bedri Hamza, thotë se lajmi i mirë është se çdo vit po kemi rritje të shkëmbimit tregtar në mes të dyjashteteve.
“Personalisht mendoj se nuk është e mjaftueshme, ka shumë-shumë mundësi dhe hapësirë që të kemi edhe një bashkëpunim më të madh. Përveç iniciativave të biznesit për t’i thelluar marrëdhëniet e tyre në bashkëpunim në mes të bizneseve edhe dy qeveritë, përkatësisht dy ministritë janë duke bërë përpjekje për të përgatitur një plan veprimi konkret me hapa të identifikuar për ta eliminuar burokracinë, përkatësisht për t’i thjeshtëzuar procedurat e shkëmbimit të mallit në mes të të dyja shteteve, harmonizimin e politikave ekonomike fiskale, etj”, ka thënë Rafuna për gazetën “Zëri”.
Burim Ejupi, nga organizata joqeveritar “Indep”, thotë se shkëmbimintregtar Kosovë-Shqipëri e konsideron të mirë, pasi kushtet për këtë shkëmbim janë të favorshme përmes “Rrugës së Kombit”, ku kostoja e transportit është zvogëluar dukshëm.
“Por, problemin e shoh te produktet kosovare dhe te ato shqiptare që nuk po gjejnë vend në tregun e dominuar nga produktet e eksportuara nga vendet e EU-së ose ato të rajonit”, ka thënë ai. /Zëri/Telegrafi/