Telegrafi

Shqipëria, nivel të lartë piraterie te kompjutërat

Sipas një investigimi mbi piraterinë në vend të kryer nga IDC për 2008, është konstatuar se 77% e programeve kompjuterike në përdorim në Shqipëri janë të palicencuara.

George Herrnleben, drejtori i BSA për Europën Qendrore dhe Lindore, tha për "Shqip", se "situata është shumë shqetësuese dhe presim një konfirmim nga qeveria për të bashkëpunuar, pasi konsideroheni ndër të fundit në Europë në respektimin e së drejtës. Kemi gati planet tona të verimit, duke nisur me trajnimet që duhen bërë me inspektorët tatimorë, në mënyrë që të njihet ligji mbi të drejtën e autorit".

Sipas tij, në qoftë se pas identifikimit nuk do të merren masa për licencimin nga ana e kompanive, gjoba për këtë mosveprim arrin në 1 milion lekë, por mund të shkojnë edhe në burgim deri në dy vjet. Niveli 77% i piraterisë konvertohet nga Herrnlebent me 8 milionë dollarë, që tregu i programeve kompjuterike të palicencuara i ka shkaktuar dëm zyrave ligjore.

"Në rast se qeveria shqiptare pranon të bashkëpunojë me BSA-në, atëherë them me siguri se informaliteti mund të bjerë me 10 për qind, pas 2-3 vjetësh", përfundon Herrnleben.

Tashmë Organizata e Industrisë së Programeve Kompjuterike ka filluar aktivitetin e saj edhe në Shqipëri dhe është gati të kontrollojë të gjitha programet kompjuterike të institucioneve shtetërore, si dhe të bizneseve prezente në treg, për të vërtetuar licencimin e tyre. BSA është krijuar më 1988 dhe anëtarë të saj janë: "Adobe", "Altium", "Apple", "Autodesk", "Bentley Systems", "Corel", "Microsoft", "Siemens PLM", etj.