Kompania importuese e çokollatave ‘Kinder’ në Shqipëri ka nisur tërheqjen vullnetarisht nga tregu të disa produkteve, si masë parandaluese pas raportimeve nga autoritetet ndërkombëtare për prani të salmonelës në disa prej tyre, ka njoftuar sot Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Përmes një njoftimi për shtyp, AKU ka sqaruar se në Shqipëri nuk rezulon të jetë kryer import i çokollatave ‘Kinder’ të zbuluara si me salmonelë.
“Lidhur me evidentimin e disa rasteve helmimesh nga salmonella në vezë Kinder Suprise në Britaninë e Madhe, ku specifikoheshin datat e skadencave 11.7.2022 dhe 7.10 2022 për produktin, AKU kreu verifikim në Pikat e Inspektimit Kufitar nëse ishte importuar në Republikën e Shqipërisë produkti Kinder Surprise me këto të dhëna, nga ku rezulton se Shqipëria nuk ka kryer import për lotet e specifikuara të produktit në fjalë”, ka shtuar AKU.
Megjithatë, AKU ka shtuar se ka marrë masa për monitorimin e tregut lidhur me këtë produkt nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme dhe inspektimeve në terren për të siguruar konsumatorin.
“Kompania importuese e produkteve si masë parandaluese paraprake po tërheq vullnetarisht nga tregu një seri të caktuar të produkteve Kinder në Shqipëri, pavarësisht se asnjë nga produktet Kinder të hedhura në treg nga ana e tyre nuk ka rezultuar pozitive nga testimet për salmonelë”.
AKU në bashkëpunim me Operatorët e Biznesit Ushqimor ka nisur procedurën e tërheqjes nga tregu të këtyre produkteve, të cilat do të qëndrojnë të bllokuara deri në saktësimin e plotë të situatës.
Ndërkohë, AKU njofton dhe këshillon konsumatorët që të shmangin blerjen e produkteve Kinder dhe nëse kanë blerë të mos konsumojnë produktet: KINDER SCHOKOBONS 46 g- me datë skadence 31.5.2022; 29.6.2022, KINDER SCHOKOBONS 125 g – me datë skadence 7.7.2022; 5.7.2022, dhe KINDER SORPRESA MAXI 100 g – me datë skadence 23.8.2022. /Telegrafi/