Telegrafi

14 vjetori i pavarësisë – Shqipëria nis të lëshojë lejet biometrike për qëndrim 5 vjeçar për shtetasit e Kosovës

Kryeministri Edi Rama është shprehur sot se Shqipëria ka nisur lëshimin e lejeve biometrike të qëndrimit për shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Shqipëri, si rrjedhojë e një marrëveshje të nënshkruar në mbledhjen e fundit të dy qeverive më 26 nëntor të vitit të kaluar në Elbasan.

Në një postim në Facebook, Rama ka shtuar se dokumenti biometrik 5-vjeçar i rinovueshëm pa afat që merret përmes platformës e-Albania është i pajisur me të gjithë elementët e sigurisë dhe shërben gjithashtu edhe si një leje pune.

“Dy kartat e para iu dorëzuan Aritës dhe Kushtrimit, dy të rinj nga Kosova që punojnë në Tiranë”, ka thënë Rama, duke shtuar se procedura bëhet nëpërmjet një aplikimi online, tërësisht e lehtësuar dhe pa dokumente.

Në pamjet e publikuara nga Rama, dy të rinjtë nga Kosova priten nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Sot kam kënaqësinë të jap dy kartat e para të lejeve të qëndrimit të dy shqiptarëve shtetas të Kosovës. Leje qëndrimi 5- vjeçare që aplikohet për herë të parë në Shqipëri në bazë të ligjit të ri që kemi bërë për të lehtësuar pikërisht këtë proces edhe në bazë të marrëveshjes që bëmë me qeverinë e Kosovës”, ka thënë Çuçi.

Sipas ministrit të brendshëm, Kosova gjithashtu ka filluar të aplikojë lëshimin e lejeve biometrike  të qëndrimit për shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë. /Telegrafi/