Shqipëria dhe Spanja nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për arritjen e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian.
Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti në një takim homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno, vizita e të cilit i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Xhaçka vlerësoi se kjo vizitë është provë e vëmendjes së posaçme që Spanja po i kushton vendit tonë dhe rajonit.
“Kjo është vizita e parë e një Ministri të Jashtëm spanjoll në Shqipëri pas shumë vitesh, çka në vetvete përbën një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet mes vendeve tona. Por ajo që e bën këtë vizitë akoma më domethënëse është momenti në të cilin ndodhemi, pasi siç e dini, kjo vizitë i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit”, tha ministrja.
“Ky është një gjest që realisht e çmojmë shumë sepse është provë e vëmendjes së posaçme që Spanja po i kushton vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, e vullnetit të saj për të mbështetur anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Europian, por edhe i diçkaje akoma më të rëndësishme, të vlerësimit që Spanja i bën çdo vendi të rajonit duke u angazhuar të ndërmarrë një proces shumë konstruktiv diskutimesh e konsultimesh”, tha Xhaçka.
Ministrja theksoi se “ne ndajmë të njëjtin mendim që zgjerimi nuk është thjesht e nuk duhet të jetë thjesht një instrument i BE, por është vetë esenca Unionit, ndaj dhe çdo vend i Evropës duhet të aspirojë për t’u bërë pjesë e tij”.
“E informova Ministrin Alvares mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë në zbatimin e angazhimeve të ndërmarra në procesin e integrimit, si dhe mbi pritshmëritë tona nga ky procesi. Deri në fund të këtij viti, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grup-kapitujt e negocimit, si dhe të hapë grupin e kapitujve themelorë të negociatave. Për këtë arsye, i kërkova Ministrit që Spanja, si shtet anëtar dhe si Presidencë e Këshillit në këtë periudhë, të na mbështesë në këtë kërkesë dhe të lehtësojë diskutimet në Këshill për një vendim pozitiv për hapjen e grupit të kapitujve themelorë, natyrisht të bazuar në merita”, tha ajo.
Xhaçka informoi se “kemi rënë dakord bashkërisht për të nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi mes vendeve tona me synim arritjen e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian”.
Më konkretisht, ajo tha se në këtë memorandum parashikohet që Spanja, të na mbështesë duke ofruar shërbime konsulence dhe asistencë teknike, si dhe të përpiqet të ruajë përfaqësimin e duhur të Republikës së Shqipërisë në caktimin e fondeve të para-anëtarësimit (IPA III), duke stimuluar kështu tranzicionin e gjelbër dhe digjital, bashkëpunimin rajonal dhe shtimin e konvergjencës me BE, kjo edhe në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, Ministrja u shpreh se “për qëllimet e zbatimit të këtij memorandumi do të përdoren edhe programet e binjakëzimit (TWINNING), të instrumentit të Asistencës Teknike e Shkëmbimit të Informacionit (TAIEX) (për asistencë teknike afatshkurtër), si dhe programet e Fondit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor”.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe dimensioni mesdhetar i politikave tona të jashtme. Shqipëria është një vend mesdhetar dhe anëtar i Unionit për Mesdheun dhe për këtë arsye mirëpret prioritetet e politikës së jashtme të Spanjës në këtë rajon, ku çështjet euro-mesdhetare do të jenë dhe në qendër të axhendës së Presidencës spanjolle të Këshillit, me argumentin se stabiliteti dhe prosperiteti i tij prek drejtpërdrejt Spanjën dhe mbarë Bashkimin Evropian.
Në veçanti, Xhaçka tha se “Shqipëria mirëpret faktin që në vitet e fundit politika e jashtme spanjolle është orientuar edhe drejt Mesdheut Lindor, përfshirë Ballkanin Perëndimor, pasi forcimi i bashkëpunimit mes BE dhe rajonit tonë është bërë më i rëndësishëm se kurrë si pasojë e agresionit të paligjshëm rus ndaj Ukrainës dhe rrezikut që ky agresion përfaqëson pëson për të gjithë ne”.
“Shqipëria, veçanërisht gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit, ashtu si dhe Spanja, janë në krye të përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën dhe për të rritur kostot, izolimin dhe vënien e Rusisë para përgjegjësisë për agresionin por edhe për krimet makabre që shtohen dita ditës ndaj popullit e territorit ukrainas. Në këtë këndvështrim është thelbësore që BE dhe Ballkani Perëndimor të jenë në harmoni të plotë ndërveprimi me njëri-tjetrin dhe dua ta theksoj që qasja strategjike e Spanjës ndaj rajonit tonë është veçanërisht e mirëpritur”, tha ajo.
Xhaçka tha se “përtej çështjeve të integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, bisedau përqendrua dhe në vlerësimin e bashkëpunimit shumë të mire dypalësh, duke filluar nga intensifikimi i dialogut politik, konfirmuar nga vizita e Kryeministrit spanjoll Sanchez, në gushtin e vitit të kaluar. Bashkërisht ndamë mendimin për potencialin e madh që ekziston në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, veçanërisht në fushën ekonomike, arsimore dhe turizmit”.
Po ashtu, ajo bëri të ditur se se “konstatohet një rritje e turistëve që vijnë nga Spanja nga viti në vit, si dhe interesi në rritje i bizneseve spanjolle për të investuar në Shqipëri në fushën e hotelerisë e së fundmi dhe në sektorin energjetik, agrobujqësi, etj, ku do të përmendja si një histori suksesi dhe si model për të ardhmen, prezencën në Shqipëri të Grupit Melia”.