Shqipëria është në prag të pikut të valës. Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini tha se edhe për afro një muaj numrat e të infektuarve do të pësojnë rritje.
“Aktualisht sipas projeksioneve jemi gati në pikun e valës, themi që edhe në tre katër javët në vijim presim trend të rritur të rasteve me COVID”.
Në kryeqytet kemi transmetim komunitar. “Kemi rritje të rasteve dhe transmetim komunitar. Transmetimi komunitar është e dendur e gjithë harta e Tiranës është e kuqe”, tha ajo në tv Klan.
Mbi 70 % e vatrave janë familjare, por nën vëzhgim po mbahen edhe shkollat. “77% janë vatra familjare, pjesa tjetër institucione, por edhe në klasa në struktura arsimtare në sistemin parauniversitar”.
E pyetur nëse shihet me shqetësim situata në transportin publik. Tomini rekomandon të shmanget sa më shumë ky shërbim.
“Transporti publik , baret kafet dhe restorantet duhet të evitohen. Transportin publik do ju rekomandoja popullatës ta evitonte. Është një ndër shërbimet që është në qendër të vëmendjes për t’u vlerësuar dhe monitorimi në të njëjtën mënyre si strukturat arsimore dhe shërbimit urbane po shihen në dinamik në krahasim me evidencën dhe do kemi edhe një vendimmarrje”.
Prej afro dy muajsh, Shqipëria po shënon shifra të larta të të infektuarve dhe atyre që kanë nevojë për trajtim spitalor. Autoritetet kanë rekomanduar respektim të masave për të evituar një mbyllje t dytë për vendin.