Shqipëria ka koleksionuar edhe një tjetër vlerësim të keq nga qendrat ndërkombëtare të vlerësimit të performancës së ekonomisë dhe klimës së biznesit. Dhoma Evropiane e ka vlerësuar Shqipërinë si një ndër tre vendet me klimën më të keqe të biznesit në kontinent. Indeksi EuCham vjen pas renditjes së keqe në raportin Doing Business të Bankës Botërore, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të “Transparency International”, Indeksin e Demokracisë të Njësisë së Inteligjencës së revistës “The Economist”.
Për dijeninë e publikut, EuCham i rendit vendet evropiane bazuar në mjedisin e tyre të biznesit. Pikët që përdoren në këtë rangim përllogariten nga kombinimi i pikëve të indeksit të Doing Business të Bankës Botërore dhe Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të “Transparency International”. 46 vendet e Europës vlerësohen në një shkallëzim nga 0 në 100, ku 0 përfaqëson performancën më të keqe dhe 100 performancën më të mirë.
Lexuesi mund të ketë krijuar bindje të tjera nga indekset e tjera që mund të ketë shfletuar këtë vit. Disa studime të tjera, që nuk marrin në konsideratë korrupsionin, tregojnë rezultate të ndryshme sepse ata paraqesin vetëm kapacitetin e mjedisit të këtyre vendeve për të adresuar dëshirat e sektorit privat për të arritur rezultate financiare. Indeksi i Bankës Botërore ndikohet kryesisht nga efektiviteti i legjislacionit dhe nga koha që i duhet biznesit për të finalizuar transaksionet. Ndërsa EuCham i konsideron si faktorë njësoj të rëndësishëm në vlerësim integritetin dhe transparencën.1
Pra, EuCham është një matës më i plotë i mjedisit të biznesit sepse pasqyron hendekun ndërmjet politikave dhe ligjeve ekonomike të një vendi dhe praktikave më të mira në botë të matura nga Doing Business dhe njëkohësisht tregon se si korrupsioni në sektorin publik, i vlerësuar nga Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, ndikon në klimën e biznesit.
Shqipëria është renditur në vendin e 44-t, me pikë ta barabarta me Bosnjën e vendit të 45-të, ndërsa listën e mbyll Ukraina në luftë civile. Sikur kjo të mos mjaftonte, ky raport i fundit që vlerëson klimën e biznesit gjatë vitit 2019 tregon se Shqipëria ka humbur dy vende nga renditja e mëparshme. Në vitin 2018, ekonomia shqiptare renditej në vendin e 42-të nga EuCham.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është sërish më keq. Ajo është po aq keq sa Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa qëndron pas Kosovës që zë vendin e 40-të, pas Maqedonisë në vendin e 36-të, pas Serbisë në vendin e 38-të dhe pas Malit të Zi në vendin e 30-të. Mali i Zi është ngjitur dy vende më lart se një vit më parë.
Autorët e raportit kanë zgjedhur ta prezantojnë atë përmbledhtazi me fjalët: nivelin më të lartë të përmirësimit e ka treguar Armenia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë ndryshimet më domethënëse të përkeqësimit.
Një rënie e tillë në vlerësimet për klimën e biznesit është një lajm i keq për Shqipërinë, pasi vjen pas disa vlerësimeve negative gjatë këtij viti dhe në një moment kur vendi ka nevojë jetike për investime të huaja direkte. Më herët, Banka Botërore në raportin e saj Doing Business 2020 vlerësoi se Shqipëria kishte rënë me 20 vende krahasuar me renditjen e vitit të kaluar. Fusha në të cilën vendi ynë kishte humbur më shumë pikë ishte ajo e interesave të aksionerëve të pakicës, një element i lidhur drejtpërdrejt me vlerësimet që bëjnë investitorët e huaj përpara se të investojnë në Shqipëri.
Përfundimi i projektit TAP dhe hidrocentraleve në kaskadën e Devollit, dy programe të mëdha investimesh të huaja direkte të trashëguara nga qeveria Berisha, ka nxjerrë në dritë një të vërtetë trishtuese për ekonominë kombëtare: Shqipëria në këtë moment nuk ka investime të huaja direkte. Pa investime të tilla, Shqipëria nuk mund ta mbulojë deficitin e madh ndërmjet eksporteve dhe importeve dhe është e destinuar të pësojë një krizë të madhe në kursin e këmbimit.
Mungesa e investimeve të huaja direkte ul sasinë e monedhës së huaj, përkatësisht euro dhe dollar dhe e bën lekun më të lirë përballë tyre. Rritja e çmimit të euros dhe dollarit nënkupton rritje të çmimit të lëndëve të para dhe produkteve të gatshme që vijnë nga importi. Në këtë krizë të thellë në të cilën është ekonomia, pas përgjysmimit të të ardhurave nga turizmi sivjet, një rritje e çmimeve do të shkaktonte falimentim të ekonomive familjare dhe për pasojë, ekonomisë kombëtare në tërësi.
Si pasojë, rënia ekonomike pas karantinës e vlerësuar ndërmjet 10 dhe 15 për qind, mund të thellohet dhe ky vit mund të mbyllet me përgjysmim të ekonomisë krahasuar me vitin e shkuar.
Prandaj, përkeqësimi i treguesve të kohës së nevojshme për hapjen e biznesit, lehtësisë në pagimin e taksave, tregtisë ndërkufitare, regjistrimit të pasurisë dhe korrupsionit të qeverisë i ka dhënë Shqipërisë një tjetër notë ngelëse përballë investitorëve të huaj. EuCham është damkë e keqe në fytyrën e Shqipërisë që çdo investitor, i cili konsideron mundësinë për të investuar në vendin tonë, do të duhet ta marrë parasysh.