Shqipëria iu është bashkuar shteteve të cilat e kanë ndaluar fluturimin e avionëve Boeing 737-8 MAX dhe Boeing 738-9 MAX në hapësirat e tyre ajrore.
Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar njoftoi se asnjë avion i tillë nuk do të operojë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në asnjë nga linjat e programuara të fluturimeve.
Kështu, AAC iu bashkua Agjencisë Evropiane të Sigurisë në Operim të Aviacionit (EASA), pas aksidentit fatal në Etiopi më 10 mars që rezultoi në 157 viktima.
“Për t’ju bashkuar nismës së EASA për këtë rast, AAC ka formalizuar lëshimin e një NOTAMi (lajmërimi për operatorët) nga ana e Albcontrol, i cili ndalon operimin e avionëve të këtij lloji në hapësirën ajrore shqiptare dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, për një kohë të pacaktuar, deri në direktivat pasuese të EASA, të cilat do të varen nga informacioni që do të vij nga hetimi i shkaqeve të aksidentit në Kenia”, njoftoi Autoriteti Civil shqiptar.
Të njëjtin vendim dje e mori edhe Kosova si dhe shumë vende evropiane e të Bashkimit Evropian. /Telegrafi/