Mishi është një prej produkteve të shportës bazë të ushqimeve. Niveli i çmimit për këtë produkt dhe konsumi e rendisin Shqipërinë në vendin më të lirë dhe ndër vendet me konsumin më të ulët të tij.
Eurostat ka publikuar statistikat mbi indeksin e çmimit të mishit në 2017-n për të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë.
Shqipëria renditet e fundit për sa i përket nivelit të çmimeve, ku mishi kushton rreth 45% se mesatarja e vendeve evropiane (EU=100).
Krahasuar edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, niveli i çmimeve të mishit është më i lirë. Pas Shqipërisë, për çmime të lira renditet Maqedonia, ku mishi kushton rreth 42% më lirë se në vendet e Bashkimit Evropian.
Ndërsa më shtrenjtë mishi kushton në Kosovë, ku çmimi është rreth 13% më shtrenjtë se në Shqipëri. Në vend të dytë për nivel të shtrenjtë çmimesh në Ballkanin Perëndimor është Mali i Zi dhe Bosnja, ku çmimi i mishit është rreth 12% më shtrenjtë se në Shqipëri.
Më pas renditet Serbia, ku mishi është rreth 9% më shtrenjtë se në Shqipëri.
Zvicra më e shtrenjta
Mishi kushton më shtrenjtë në Zvicër, ku niveli i çmimeve është 2.4 herë më i shtrenjtë se në pjesën tjetër të Evropës. Sipas të dhënave të Eurostat, niveli i çmimeve është kryesisht më i shtrenjtë në vendet e Evropës Veriore si Islanda, Norvegjia dhe Luksemburgu.
Në 2017-n. Luksemburgu kishin çmimet më të larta të mishin në Evropë ndër vendet anëtare të BE-së, apo rreth 41% më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Në vend të dytë për nivelin më të shtrenjtë të çmimeve është Austria, ku çmimet janë 39% më të larta se mesatarja evropiane.
Më lirë në Evropën Qendrore dhe në Ballkan
Polonia ishte vendi me çmimet më të lira të mishit, rreth 43% më të lira se mesatarja e Bashkimit Evropian, pasuar nga Bulgaria me rreth 42% më lirë.