Akti normativ parashikon shtesën në buxhet prej mbi 8 milionë euro për projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar aktin normativ në lidhje me ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2021 për fondin shtesë me qëllim pajisjen me dronë nga Turqia dhe financimin e fushatës së vaksinimit anti-COVID-19.
Akti në fjalë i cili përcakton ndryshimet në buxhetin e shtetit u miratua me 82 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim.
Akti normativ i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë më 22 qershor të këtij viti dhe i publikuar edhe në fletoren zyrtare parashikon shtesën në buxhet prej mbi 8 milionë euro për projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë, sipas qeverisë “në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi”.
Kujtojmë se në fillim të muajt qershor të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, së bashku me disa ministra të kabinetit qeveritar realizoi një vizitë në Turqi, ku ndër të tjera ai theksoi se pjesë e bashkëbisedimeve me sipërmarrjet e ekselencës turke ishte edhe për sistemin e kontrollit të territorit të vendit me dronë superinteligjentë, sipas tij, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet dhe rendin publik, raporton Anadolu Agency.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, vizitoi gjatë qershorit në Turqi fabrikën “Baykar Defense”, e specializuar në prodhimin e dronëve të teknologjisë së lartë, për të vlerësuar sipas tij “mundësinë e përdorimit të këtyre pajisjeve edhe në Shqipëri për qëllime civile e urbane të kontrollit dhe mbrojtjes së territorit”.
Sipas autoriteteve shqiptare dronët do të monitorojnë territorin në kohë reale për të gjitha ato çështje që janë në interes, që nga ndërtimet pa leje, tek qarkullimi, bujqësia dhe pyjet.
Gjithashtu gjatë seancës parlamentare u miratua edhe një buxhet shtesë prej mbi 8 milionë euro për fushatën e vaksinimit kundër cornavirusit të ri (COVID19) e cila vazhdon aktualisht.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që Prej fillimit të vaksinimit në Shqipëri janë kryer në total 968.034 doza të vaksinës ndaj COVID-19, prej tyre 403.504 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.