Telegrafi

Shqipëria merr 240 milionë euro për anëtarësim në BE

Për periudhën 2009-2011 Shqipëria do të përfitojë në formë grantesh nga buxheti evropian 269.4 milionë euro ku pjesa më e madhe 237.9 milionë euro është Ndihmë për Tranzicionin dhe Ngritjen e Institucioneve kurse pjesa tjetër 31.5 milionë euro shkon për Bashkëpunimin Ndërkufitar.

Më specifikisht, sa i takon drejtimit të parë, fushat kryesore të ndërhyrjes në kuadër të kërkesave politike do të jenë reforma e administratës publike, reforma e gjyqësorit dhe policisë, lufta kundër korrupsionit. Po ashtu, janë parashikuar fonde për zhvillimin e medias, inkurajimin e përfshirjes shoqërore dhe ekonomike të pakicave dhe grupeve në nevojë, si edhe dialogun me shoqërinë civile.

Këto financime synojnë ta ndihmojnë Shqipërinë të arrijë standardet e BE-së në fushat e tregut të brendshëm, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bujqësisë dhe zhvillimit rural, zhvillimit rajonal, mjedisit, mbrojtjes së konsumatorit, transportit dhe energjisë.

Pjesa e dytë e ndihmës që shkon për ‘Bashkëpunimin Ndërkufitar’ do të merret me veprimtaritë ndërkufitare mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së si edhe me vende të tjera kandidate apo potencialisht kandidate.

Financimi do të mbështesë veprimtari të tilla si: zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, shoqërore dhe mjedisore të zonave kufitare; adresimi i sfidave të përbashkëta sidomos në fushat e mjedisit, shëndetit publik dhe zhvillimit; dhe inkurajimi i veprimtarive mes OJQ-ve dhe autoriteteve lokale. /alsat/