Telegrafi

Shqipëria lë pas vendet e rajonit me nurin e turistëve

Shqipëria ka një potencial të madh ende të pashfrytëzuar, edhe pse sezoni turistik i këtij viti bëri të mundur rritjen e sektorit me gati 30%, një shifër kjo që lë pas vende të rajonit si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia apo edhe Bullgaria, që kanë shifra nën 15%.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në takimin me operatorë dhe kontribuues të sezonit turistik, theksoi se shifrat e këtij sezoni konfirmojnë një rritje prej 30 % në gusht dhe shifrat e shtatorit tregojnë për një sezon si asnjëherë tjetër.

“Rritja e numrit të turistëve dhe të ardhurave nga turizmi janë domethënëse, nëse marrim parasysh rikthimin e disa destinacioneve që deri vjet konsideroheshin të papërshtatshme që nga Turqia, tek Egjipti e Tunizia”, theksoi kryeministri, transmeton atsh.

Ai shtoi se këtij fakti i shtohen shifrat që tregojnë për shtim në pesë vjet të numrit të turistëve nga 3,4 milionë në 6 milionë vizitorë, dhe 1 miliard në 2 miliardë euro nga turizmi, një ndikim në punësim me 30 mijë të punësuar në funksion të sezonit turistik. /Telegrafi/