Qeveria e Shqipërisë vendosi ngritjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, me statusin e institucionit qendror në varësi të Ministrisë së Kulturës.
Misioni i qendrës synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe atë botëror.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit harton programet dhe financon projektet në fushën e librit. Po ashtu, kjo qendër mbështet botimet e librave dhe të revistave në fushën e letërsisë e të shkencave shoqërore edhe në format të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara.
Nëpërmjet buxhetit të saj të miratuar për çdo vit kalendarik, Qendra financon projekte të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre fushën e librit. Realizimi i projekteve miratohet me urdhër të titullarit, pas propozimit nga kolegjiumi i QKLL-së. /ata/