Rrokullisja drejt greminës që po pëson Greqia fqinje, dhe po çon Evropën drejt përmbysjes ekonomike, ka filluar tu ngjitet si virus edhe vendeve të mëdha të kontinentit të vjetër. Pas kolapsit financiar që pësuan Irlanda dhe më pastaj Portugalia, sot buzë greminës gjenden Spanja dhe Italia dy nga ekonomitë më të fuqishme të botës. Borxhmarrja e pa kontrolluar për të realizuar premtime të parealizueshme elektorale, partiake si dhe personale, ka çuar këto vende në pozitën kur borxhi kombëtarë i tyre arrin deri në 122.7% të GDP-së (siç është rasti me Italinë).
Disi nuk duhet të shqetësohemi sepse kësi lloj problemesh nuk na ndodhin neve ka qenë deri tani reagimi i Tiranës dhe Prishtinës zyrtare rreth këtyre ngjarjeve, por koha e izolimit dhe e qypit me lira në fund të oborrit ka mbarur, duke bërë që çdo vend brenda kontinentit, por edhe më larg, ta ndiej krizën e Greqisë, e së fundmi edhe Italisë apo Spanjës. Situata ekonomike përbrenda Shqipërisë politike është përpara një krize të madhe.
Borxhi kombëtarë i Shqipërisë politike, i nxitur nga huamarrjet epshore të qeverive në dhjetë vitet e fundit, rrezikon të shkoj drejt rritjes së papërballueshme të shkallës së interesit, aq më keq kur dihet se ekonomia shqiptare nuk është e shpërndarë në shumë sektorë, ashtu që nëse një, dy ose dhjetë sektor të ekonomisë dështojnë apo lodhen, një, dy apo dhjetë të tjerë e mbajnë vendin brenda premisave të shëndosha fiskale dhe ekonomike. Numri i turistëve të huaj gjatë verës që e lamë pas, ishte më i ulët se vitin e kaluar, dhe edhe ata që vizituan Shqipërinë, shpenzuan më pak. Prurjet e diasporës në Shqipëri ishin poashtu ndjeshëm më të ulëta. Kjo për faktin se një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë jetojnë e punojnë pikërisht në Greqi dhe Itali. Dhe në fund, zhvillimi ekonomik i Shqipërisë i orientuar në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës, ka qenë shumë i ulët dhe mundet edhe të pësoj ngrirje të plotë për shkak të mungesës së fondeve, por edhe nismave për ndërtime.
Situata në Kosovë është përafërsisht e njëjtë, veçse këtu akoma nuk është ngritur një bazë solide e një ekonomie të mirëfilltë vendase, e cila sado e vogël qoftë do të mund të rriste prodhimtarinë dhe zhvillimin e ekonomik te vendit. Mbytja e iniciativës së lirë me ligje të panumërta burokratike, shpërfaqja e interesave politike mbi ato ekonomike, dhe më e rëndësishmja stërfryerja e administratës shtetërore, po e çojnë buxhetin edhe ashtu të varfër të Kosovës drejt uljes së dhimbshme.
Kosova akoma nuk ka shëruar veten nga gjendja e pasluftës në aspektin ekonomik. Vendi vazhdon të ketë papunësi që kalon gjysmën e popullsisë aktive, ndërsa përkundër fondeve të shumta të ndihmave nga donatorët e huaj, rritja ekonomike nuk shkon mbi 5% në vit. Dhe, edhepse e paralajmëruar shumë nga organizma financiarë ndërkombëtarë, administrata shtetërore në Kosovë po vazhdon të mbifryhet. Fakti habitës që një vend me më pak se dhjetë mijë kilometra katrorë, dhe më pak se 1.75 milion banorë ka 19 ministri, gjashtë zëvendëskryeministra, parlament me 120 deputetë, (ku bëhet një mbipërfaqësim i popullit marrë nga totali i përgjithshëm i banorëve), dhe komuna politike ngritur për më pak se 2500 banorë, flet qartazi për një shtet alla-afrikançe, ku ekonomia e shtetit është vetëm puna në institucionet shtetërore. Në çdo ekonomi të botës, sipas parametrit të përgjithshëm zhvillimorë, kur shteti është punëdhënësi më i madh, premisat ekonomik janë të gjymtuar.
Në Kosovë, mëse 60% e të punësuarve janë në pagesën e shtetit. Mbase kjo argumenton edhe faktin se në vende si Kosova ku ka krizë ekonomike vazhdueshëm, kur krizat e mëdha globale godasin ato edhe nuk ndjehen fare, por fakti se faktorët global po luajnë pandashëm rol në situatën e përgjithshme të rajonit, nuk i bën imune as Shqipërinë e as Kosovën. Shih për këtë, qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës duhet ta hedhin vështrimin edhe nga situata ekonomike si faktor kyç për mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin social.
Duke harruar faktorët ekonomik që po bien çdo dit, e duke u marrë në Tiranë krejtësisht me dhjetë propozimet e opozitës, apo edhe se a do të varrosej Ramiz Alia me ose pa protokoll shteti, apo edhe sa suksese pati libri i ri plasuar në treg nga Edi Rama, qeveria e Shqipërisë po manifeston një shurdhmemecëri absurde e cila është tepër shqetësuese. Një vend që për shkak të verbërisë ekonomike shkoj deri në fatalitetin e luftës qytetare në vitin 1997, nuk guxon të rrëshqas drejt greminës prapë, aq më shumë kur në pushtet është e njëjta administratë partiake. Prandaj ulja e administratës së mbifryrë, rritja e kursimeve buxhetore, kujdesi në orientimin e aseteve investuese në fushat dobiprurëse të ekonomisë, dhe depolitizimi i ekonomisë, dhe studimi i mirëfilltë i rritjeve të rrogave për shërbyesit civil janë hapa që menjëherë duhet të ndërmerren nga qeveria në Tiranë.
Të njëjtat premisa ndërkaq vlejnë edhe për Kosovën, me shtyrje të fuqishme shtetërore në industrinë e lehtë, atë ushqimore, bujqësinë dhe stabilizimin e transportit. Përderisa qeveria e Republikës së Kosovës këmbëkryq është ulur në problemin shumë të koklavitur të veriut të vendit, ulja e premisave ekonomik në vend po injorohet fare. Dhe një krizë ekonomike më e madhe nga kjo që ka Kosova, sigurisht se nuk i duhet vendit. Se kohra të vështira po vijnë për qytetarët e Kosovës tregon edhe buxheti i aprovuar nga qeveria super e madhe ku llogariten për tu shpenzuar para që nuk i kanë, siç është puna me 300 milion euro të përllogaritura nga shitja e Postës, apo edhe rreth 75 milion euro kredi nga FMN e që akoma nuk është aprovuar.
Prandaj, si Tirana, ashtu edhe Prishtina, duhet të mbajnë vesh dhe të mësojnë nga gabimet e të tjerëve. Greqia dhe Italia fqinje, po shkojnë drejt greminës pikërisht sepse jetuan për mëse dy dekada nga para që nuk i kishin, duke marrë borxhe që si shlyenin dot. Greqia, poashtu nuk vërejti kapacitetin ekonomik duke lejuar likuiditetin të rritet, ndërsa për marrosjen finale, organizoj Olimpiadën Athina 2004 me para krejt të huaja. Aq më tepër tani kur edhe Bashkimi Evropian edhe SHBA-të janë kokë e këmbë të orientuara drejt problemeve ekonomike në oborret e tyre. E nëse Kosova dhe Shqipëria do të pësonin kolaps të njëjtë me Greqinë, Irlandën, Portugalinë, apo Italinë, asnjëra nga këto dy fuqi ekonomike botërore, nuk do ti vinte në ndihmë as Tiranës e as Prishtinës zyrtare, duke lënë FMN ta bëjë qethjen e tipit Senegal, apo Mozambik që pësuan në vitet e ’90 këto vende Afrikane me uljen deri në minimumin ekzistencial të sistemit shkollorë, shëndetësorë, juridik dhe atij të sigurisë. Domosdoja e marrjes së këtyre mësimeve çon në përfundimin se asnjë hap i gabuar nuk lejohet. Sepse kur të jetë vonë s’ke pse kruan kokën siç po bëjnë Papanderu në Athinë, e Berluskoni në Romë.
(Autori është ekspert i ekonomisë politike dhe bashkëpunëtorë korrespondent me ‘Institutin e Studimeve Fiskale’ në Londër)