Telegrafi

Shqipëria kërkon të bëhet prodhues i madh i energjisë së erës

Prodhimi pritet të nisë deri në 2010. Energjia do të udhëtojë nëpër një kabëll të shtrirë nga porti shqiptar i Vlorës në Brindisi të Italisë, në një thellësi 825 metra.

"Në të ardhmen e afërt, mund të rriste importin e energjisë së prodhuar nga centralet konvencionale që kemi ndërmend të zhvillojmë në truallin shqiptar," thoshte një deklaratë nga Moncada Construzioni.

Në gusht, qeveria shqiptare miratoi përdorimin e tokës pyjore e të kullotës në rrethin e Vlorës për zhvillimin e parkut të erës.

Ekspertët thonë se potenciali për projekte të ngjashme ekziston në një numër vendesh në Shqipëri, veçanërisht në fushat, përgjatë bregdetit dhe në kodrat. Autoriteti Rregullues i Elektricitetit (ARE) ka licencuar tani disa kompani për të zhvilluar këtë potencial.

Vitin e kaluar, licenca e parë i shkoi kompanisë Hera, e cila ka në plan të ndërtojë një fermë ere në zonën e Kapshticës dhe Bilishtit, Shqipëria juglindore, me një kapacitet 150 Mw. Projekti do të kushtojë 240 milion euro.

Malet e Terpanit, pranë qytetit jugor të Beratit janë një tjetër zonë e planifikuar për zhvillimin e energjisë së erës. Investimi i projektit llogaritet në 460 milion euro, me një kapacitet të instaluar prej 225 Mw.

Italgest, një kompani italiane e energjisë së erës, ka propozuar ndërtimin e një centrali ere pranë Kryevidhit, 50 km larg Tiranës. Njësia do të gjeneronte 150 Mw dhe investimet e kompanisë do të arrinin në 202 milion euro. /Setimes/