Ditmir Bushati thotë se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Ditmir Bushati priti sot një grup të përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës.
Në qendër të diskutimit ishin situata e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, si dhe zhvillimet e tanishme në rajon.
Sipas njoftimit të lëshuar nga MPJ, thuhet se Bushati dëgjoi mendimet dhe kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e spektrit politik të Luginës, me fokus kryesor shqetësimin e tyre për ecurinë socio-ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe mungesën e shërbimeve dhe të standardeve parësore, që po çojnë drejt humbjes së perspektivës për të rinjtë dhe largimin e tyre nga Lugina.
Ai ritheksoi angazhimin e Shqipërisë për mbështetje të pakushtëzuar në adresimin e kërkesave të tyre, çka është materializuar edhe në një sërë iniciativash e kontributesh për nxitjen e kapaciteteve zhvillimore nga ana e Qeverisë shqiptare dhe i siguroi bashkëbiseduesit se shteti shqiptar do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqenie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë.
“Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoriteteve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negociimit me Bashkimin Evropian, si edhe të normave të gjithëpranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh Bushati.
Përfaqësuesit e Luginës parashtruan mendimet e tyre edhe mbi zhvillimet e tanishme në rajon, veçanërisht procesin e Dialogut Kosovë-Serbi.
Në këtë kontekst, Ministri Bushati ndau me bashkëbiseduesit qasjen e Shqipërisë në raport me këto zhvillime, duke e vënë theksin tek rëndësia e vijimësisë së dialogut dhe orientimin e tij në mënyrë efektive, në terma të qartë, pa ekuivok dhe të balancuar për sa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjeve dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës.
“Ne i qëndrojmë bindjes tonë se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me një Marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ai./Telegrafi/