Të paktën 290 mijë shqiptarë, sipas një raporti të Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës, nuk kanë ushqim të mjaftueshëm.
Raporti i këtij viti për urinë vlerëson se në këtë gjendje është 10 për qind e popullsisë totale në Shqipëri – përqindja më e lartë në Europë.
Të njëjtin tregues, Bosnja e ka me 1.4 për qind të popullsisë, Mali i Zi me 1.8 për qind, kurse Serbia me 4.1 për qind.
Evropa e zhvilluar as që i diskuton më treguesit e tillë, raporton Monitor.
Sipas shpjegimit që i bëjnë Kombet e Bashkuara, treguesi i prevalencës ekstreme të pasigurisë ushqimore ndahet në dy kategori: Pasiguri e lehtë dhe pasiguri ekstreme. E lehta ka të bëjë me faktin se individët arrijnë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm, por cilësia dhe vlerat ushqyese që mbart ai janë poshtë standardeve. Kurse pasiguria e lartë ushqimore do të thotë marrje të ushqimit në nivele më të ulëta sesa kërkohet për të jetuar sipas një standardi të konsideruar normal. Pra, individi në këtë rast nuk arrin të konsumojë aq ushqim sa do dhe vlerat ushqimore nuk janë çështje diskutimi.